Një robo-qen i verdhë, i quajtur SPOT, që ka marrë famë online pasi është parë të kërcejë këngën hit Uptown Funk, është parë të patrullojë në një park në Singapor dhe të garantojë që njerëzit të ruajnë distancën sociale.

Një tjetër video ka qarkulluar ditët e fundit në rrjet, ku shihej qeni robot që patrullonte në rrugët e Ontarios në Kanada, gjatë natës.

Qeni, që mund të hapë dyert dhe të kapërcejë pengesat, është prodhuar nga Boston dynamics, dhe pritshmëritë për të janë të shumta.

Qeni mekanik, kontrollohet në distancë dhe mund të ecë në të gjitha llojet e terreneve. Ai mund të vrapojë, kërcejë, të hapë dyer dhe mund të blihet për rreth 75 mijë dollarë. Qeni është i pajisur me sensorë çka garanton që ai të mos përplaset me njerëzit.

Në Francë ndërkohë, po punohet që qeni robot, një mrekulli teknologjike siç e quajnë atje, të mund të përdoret për të eksploruar vende që konsiderohen shumë të rrezikshme për njerëzit. Agjencia kombëtare për menaxhimin e mbetjeve radioaktive, është interesuar vecanërisht për të dhe po mendon ta përdorë robo-qenin në projektet e saj.

Top Channel