Kundërzbulimi amerikan/ Kundërshtarët po shtojnë sulmet ndaj zgjedhjeve presidenciale

07/10/2020 04:21

Zyrtarë të lartë amerikanë të zbulimit dhe çështjeve të sigurisë thonë se kundërshtarët e vendit po i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Rreziqet, e përshkruara në një video të shpërndarë në mediat sociale nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) të martën, janë dyfishe: operacione ndikimi të projektuara për të ndryshuar mënyrën se si mendojnë votuesit ndërsa plotësojnë fletët e votimit dhe sulme të shtuara ndaj infrastrukturës zgjedhore amerikane, diçka që zyrtarët janë përpjekur ta minimizojnë deri më tani.

“Padyshim që kundërshtarët po përpiqen të minojnë demokracinë dhe vlerat tona demokratike ndërsa ne i afrohemi zgjedhjeve”, thotë William Evanina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë. “Votuesi amerikan është objektivi kryesor”, shton ai, duke azhurnuar një deklaratë të 7 gushtit mbi kërcënimet zgjedhore. “Aktorët e huaj po përhapin dezinformata dhe po përpiqen të ndikojnë votuesit”, thotë ai më tej. Por zoti Evanina, zyrtari më i lartë i vendit për çështje të kundërzbulimit, paralajmëroi gjithashtu se kundërshtarët e huaj po përpiqen të depërtojnë në sistemet amerikane të votimit.

“Ata po përdorin një sërë aktivitetesh kibernetike me qëllimin për të fituar qasje në infrastrukturën tonë zgjedhore”, tha ai në video, duke mos përjashtuar mundësinë që disa prej këtyre sulmeve mund të rezultonin të suksesshme, qoftë dhe në një masë të kufizuar. Megjithatë, vuri në dukje zoti Evanina “Do të ishte shumë e vështirë për kundërshtarët që të ndërhynin ose të manipulonin rezultatet e votimit në shkallë të gjerë. Sistemet tona zgjedhore mbeten të forta”, tha ai. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës agjencia e Kundërzbulimit (NCSC), nuk pranoi të shtjellonte paralajmërimet e zotit Evanina lidhur me kundërshtarët e huaj, pohime që dukej se kundërshtonin elemente të deklaratave të mëparshme të zyrtarëve të tjerë të lartë, përfshirë komentet e bëra nga Drejtori i FBI-së.

“Nuk kemi parë sulme kibernetike deri më sot këtë vit në regjistrin e të dhënave të votuesve ose në ndonjë sistem të përfshirë në votimet paraprake”, tha zoti Wray gjatë një forumi në internet muajin e kaluar. “Në dijeninë tonë, asnjë qeveri e huaj nuk është përpjekur të ndërhyjë në numërimin e votave në SHBA”, tha ai. Por një vlerësim i veçantë mbi kërcënimin që paraqitet, i shpërndarë të martën nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, tregoi se sulme të tilla mund të ishin shumë pranë. “Kina, Rusia dhe Irani mund të kërkojnë të përdorin aftësitë kibernetike për të kompromentuar ose prishur infrastrukturën kritike të përdorur për të mbështetur zgjedhjet e vitit 2020”, thuhej në një deklaratë të departamentit.

Deri më tani, zyrtarët amerikanë kanë fajësuar për shumicën e përpjekjeve për të sulmuar ose prishur sistemet kritike zgjedhore apo ato të lidhura me zgjedhjet, aktorë të paidentifikuar kibernetikë, të cilët duket se operonin pa ndonjë udhëzim nga vendet kundërshtare si Rusia, Kina ose Irani. Për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve të tilla, zyrtarët e zgjedhjeve kanë instaluar pajisje të veçanta për të vëzhguar aktivitetin kibernetik në kohë reale, në të 50 shtetet dhe në më shumë se 2.500 juridiksione lokale.

Deri në fund të muajit të kaluar, ata po merrnin sinjale se diçka mund të ishte duke u “kurdisur”. “Pyetjet që më mbajnë zgjuar natën janë: A ka diçka të cilën nuk po arrijmë ta shohim, diçka që nuk po ndjekim?”, thotë Matt Masterson, këshilltari i lartë për sigurinë zgjedhore në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, gjatë një aktiviteti në internet muajin e kaluar. Megjithatë, zyrtarë të tjerë të rëndësishëm thonë se pas katër vitesh përgatitje mbi çështje të sigurisë, votuesit amerikanë kanë pak për t’u shqetësuar. “Besoj se siguria mbi votën nuk ka qenë kurrë më e lartë”, tha Christopher Krebs, drejtori i Sigurisë Kibernetike në videon e shpërndarë nga FBI-ja të martën.

Zoti Krebs, i cili edhe më parë i ka siguruar votuesit amerikanë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të jenë “më të sigurtat në historinë moderne”, u bëri thirrje amerikanëve gjithashtu të qëndrojnë të qetë, duke theksuar se ndryshe nga vitet e kaluara, rezultati i zgjedhjeve mund të mos dihet edhe për një farë kohe pas mbylljes së procesit të votimit. “Për shkak të ndryshimeve si rezultat i COVID-19-s, më 3 nëntor, ne mund të mos e dimë rezultatin e zgjedhjeve dhe kjo nuk përbën problem”, tha ai. “Kemi nevojë për durimin tuaj derisa të shpallen rezultatet zyrtare” .Për shkak të pandemisë, një numër rekord i amerikanëve pritet të votojnë me postë. Sipas shifrave që ofroi të martën i ashtuquajturi Projekti i Zgjedhjeve, të paktën 4.5 milionë amerikanë e kanë hedhur votën e tyre me postë ose 50 herë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016./VOA

Top Channel