Braktisën PD dhe LSI për t’iu bashkuar PS-së, Veliaj: Bëtë zgjedhjen e duhur, nuk do ju tradhtojmë

07/10/2020 17:26

Ish-anëtarë të PD dhe të LSI në Njësinë 4 në Kryeqytet ia janë bashkuar Partisë Socialiste.

Duke u uruar mirëseardhjen në familjen e tyre të re në Asamblenë e PS për Njësinë 4, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj iu premtoi se PS nuk do t’i zhgënjejë kurrë. Ai deklaroi sesi PD, ashtu edhe LSI, tradhtuan besimin e qytetarëve, duke menduar vetëm për interesat e tyre personalë dhe jo të votuesve dhe simpatizantëve.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar nga PD sot, dhe të gjithë ata që e kanë kuptuar se për sa kohë ju kemi shërbyer me dinjitet, kur ishit përballë, tani që iu bashkuat familjes tonë do t’ju shërbejmë edhe më shumë. Për të gjithë ata që na janë bashkuar nga LSI-ja, nga PDIU-ja, mirëseerdhët në familjen që nuk ju tradhton kurrë! Në një moment të jetës së tyre besuan se këto parti ishin prej vërteti, por kur i panë që tradhtuan çdokënd, kur e panë që ua përdorën fëmijët si mish për top për të kapur makina, kur e panë që ua përdorën burrat mish për top për të kapur vila, kur e panë që lanë Parlamentin, lanë Bashkitë, lanë zgjedhjet, pra lanë punën për të cilin ishin votuar, votuesit e tyre bënë zgjedhjen e duhur dhe erdhën në familjen tonë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se diferenca mes palëve është e qartë. Ai nënvizoi se PS është forca politike që ka ende shumë për të bërë. “Saliu, i cili mbajti peng gjyshërit tanë, prindërit tanë, moshën tonë dhe tani edhe fëmijët tanë që sapo kanë lindur, nuk mund të kthehet për herë të tretë në Shqipëri. Diferenca mes nesh dhe atyre nuk është sa gjëra kemi bërë dhe sa ata kanë shkatërruar, por sa na hanë duart që të bëjmë, sa projekte kemi, sa ëndrra kemi akoma, sa ide kemi akoma dhe sa plane kemi akoma. Kjo është diferenca, në ambicien tonë të lartë që kemi. Unë besoj fort që, në qoftë se ne me këtë frymë që kemi ecur deri më tani vazhdojmë dhe mandatin e tretë, qielli është limiti se çfarë mund të bëjmë për këtë vend”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se politika për socialistët nuk është qëllim në vetvete, por mjet për t’u shërbyer shqiptarëve. “Politika është mjeti me të cilin ne ndërtojmë zjarrfikëse, mjeti me të cilin ne rrisim rrogat, mjeti me të cilën ne rindërtojmë shtëpitë, mjeti me të cilën ne bëjmë këto pagesat, është mjeti me të cilën ne ndihmojmë artistët, është mjeti me të cilën ne zerojmë taksën për biznesin e vogël, është mjeti nuk është qëllimi”, tha Veliaj.

Top Channel