BE prezanton planin për të përmirësuar jetën e komunitetit rom

07/10/2020 14:54

Trajtimi që u ka bërë Evropa romëve gjatë dekadës së fundit është “e patolerueshme”, ka thënë zëvendës-presidentja e Bashkimit Evropian, Vera Jourova, teksa ka prezantuar planin 10-vjeçar për të përmirësuar jetën e këtij komuniteti.

Rreth 6 milionë pjesëtarë të komunitetit rom jetojnë në bllokun me 27 anëtarë, ku sipas Komisionit Evropian rreth 41 për qind e tyre përballen me diskriminim në pesë vjetët e fundit.

Sipas këtij Komisionit, rreth 85 për qind e fëmijëve romë përjetojnë rrezikun e varfërisë, në krahasim me 20 për qind të të gjithë fëmijëve në BE.

“Thënë thjesht, në 10 vjetët e fundit ne nuk kemi bërë mjaftueshëm për të mbështetur popullsinë rome në BE. Kjo gjë është e patolerueshme”, ka thënë Jourova.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë”, ka thënë ajo, teksa ka prezantuar planin për periudhë 10-vjeçare.

Sipas planit, vendet e BE-së duhet të dorëzojnë strategjitë e tyre kombëtare deri në shtator të vitit 2021 dhe Komisioni më pas do të vëzhgojë përparimin e arritur deri më 2030, duke synuar zvogëlimin e diskriminimit, përmirësimin e qasjes për punë, zvogëlimin e varfërisë dhe përmirësimin e kualitetit të edukimit për fëmijët romë.

Top Channel