​KE miraton planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor

06/10/2020 18:17

Komisioni Evropian miratoi sot një plan gjithëpërfshirës ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim të stimulimit të rimëkëmbjes afatgjatë ekonomike dhe nxitjen e integrimit rajonal me Bashkimin Evropian.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se përmes këtij plani Bashkimi Evropian siguron mbështetje të fuqishme për rimëkëmbjen dhe reformën ekonomike për një Ballkan Perëndimor modern, më të gjelbër dhe më të begatë, duke u shërbyer më mirë qytetarëve të këtyre vendeve në rrugën drejt BE-së.

“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës dhe ne kemi një interes të përbashkët për t’u ndihmuar këtyre gjashtë partnerëve të ecin përpara në rrugën e tyre drejt BE-së. Me planin ekonomik dhe të investimeve, ne po e mbështesim me veprime vlerësimin e paketës sonë të zgjerimit, duke siguruar mbështetje të thellë dhe të fortë për rimëkëmbjen dhe reformën ekonomike – për një Ballkan Perëndimor modern, më të gjelbër dhe më të begatë, duke u shërbyer më mirë qytetarëve të këtyre vendeve në rrugën drejt BE-së,” u shpreh Borrell.

Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, ka bërë të ditur se do të mobilizojnë deri në 9 miliardë euro financime për projekte madhore të investimeve në fushat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende të punës.

“Plani ofron edhe shtegun për integrim të suksesshëm ekonomik rajonal që ndihmon në përshpejtimin e konvergjencës me BE-në dhe mbylljen e hendekut zhvillimor mes rajoneve tona, duke e shpejtuar përfundimisht procesin e integrimit në BE. Ky plan duhet të ndihmojë për transformimin e Ballkanit Perëndimor në një nga rajonet më tërheqëse për investime në botë. Natyrisht, zbatimi do të duhet të ecë krah për krah me reformat”, tha ai.

Paralelisht me planin e Investimeve Ekonomike, për ta mbështetur rajonin Komisioni ka paraqitur udhëzimet për zbatimin e Agjendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, që pritet të miratohet në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje në muajin nëntor 2020.

Ajo parashikon veprime sipas pesë shtyllave. Këto janë (i) veprimi klimatik, duke përfshirë dekarbonizimin, energjinë dhe lëvizshmërinë, (ii) ekonomia qarkore, duke adresuar në veçanti mbeturinat, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve, (iii), biodiversiteti, me qëllim mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e pasurive natyrore të rajonit, (iv), luftimi i ndotjes së ajrit, ujërave dhe tokës, dhe (iv) sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe zonat rurale.

Digjitalizimi do të jetë një lehtësues kyç për pesë shtyllat e mësipërme, në përputhje me konceptin e tranzicionit të dyfishtë të gjelbër dhe digjital. Plani identifikon dhjetë projekte madhore investimesh për mbështetjen e lidhjeve kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, energjisë së ripërtërishme dhe tranzicionit nga qymyri, rinovimit të ndërtesave publike dhe private për të rritur efiçiencën e energjisë dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë, infrastrukturës së menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave të ndotura, si dhe për futjen në përdorim të infrastrukturës së rrjetit brezgjerë.

Projektet e tjera madhore përfshijnë investime të shtuara në sektorin privat për rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe garancitë për rininë. Përveç financimit të konsiderueshëm me grante për rajonin, BE-ja mund të sigurojë garanci për të ndihmuar në uljen e kostos së financimit për investimet publike dhe private, si dhe për të zvogëluar riskun për investitorët. Mbështetja përmes Instrumentit të ri të Garancive për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Garancive të Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe Fondit Evropian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus, pritet që potencialisht të mobilizojë investime deri në 20 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme.

Paketa e investimeve do të jetë një nxitje kyçe për lehtësimin e rritjes së investimeve publike dhe private në rajon nga institucionet financiare evropiane dhe ndërkombëtare.Ndryshe, Komisioni i ka mbështetur përpjekjet e qeverive të rajonit për zhvillimin e një vizioni të ri për krijimin e një zone ekonomike rajonale që pritet të miratohet në Samitin e Sofjes në nëntor 2020. 

Top Channel