Jose Callejon mbylli këtë verë eksperiencën 7-vjeçare me fanellën e Napolit, por do të vijojë karrierën e tij sërish në kampionatin italian, pasi ditën e sotme arriti marrëveshjen me Fiorentinën, ku do të zëvendësojë Federico Chiesën.

“Chiesa është shumë i talentuar dhe do të bëjë mirë kudo që të shkojë, por unë jam Jose Callejon dhe kam ardhur këtu për të dhënë kontributin tim. Jam shumë i lumtur për marrëveshjen me Fiorentinën, pasi edhe për familjen time është mirë që të vijojmë të qëndrojmë në Itali. Firenze është një qytet i bukur dhe jam gati të bëj më të mirën në fushë”, u shpreh Callejon.

Sulmuesi 33-vjeçar u largua nga Napoli në fillim të muajit gusht, pasi De Laurentiis nuk i ofroi rinovim të kontratës, ndërsa sot deklaroi se gjatë këtyre dy muajve është stërvitur rregullisht në shtëpi.

“Jam në një formë të mirë fizike, pasi jam stërvitur rregullisht në shtëpi gjatë këtyre dy muajve. Gjithsesi ndërprerja e kampionatit do të më ndihmojë të gjej formën më të mirë dhe të njihem më mirë me idetë e trajnerit e shokët e skuadrës”, u shpreh Callejon.

Top Channel