Vjen stuhia `monstër`/ Viktima e dëme në Francë e Itali

04/10/2020 14:17

Stuhia e fuqishme Alex, e përplasur mbi Francën Jugore dhe Veri-Perëndimin e Italisë, ka marrë disa jetë njerëzish ndërsa BBC flet edhe për 25 të zhdukur.

Stuhia e dhunshme u përplas mbi këto zona me erëra të forta e shira të rrëmbyer, duke shkaktuar dhe përmbytje të mëdha. Shumë fshatra rreth Nice-s kanë pësuar dëme serioze , ndërsa kryebashkiaku I qytetit jugor foli për përmbytjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë. Disa banorë të zonës pohuan të njëjtën gjë.

“Kjo është hera e parë që shoh një gjë të tillë. E kemi pasur një episod të ngjashëm në 1993-shin, por jo të këtyre përmasave. Ka pasur katër vdekje këtu në fshat, dhe kjo për ne është e paimagjinueshme. Duket sikur po jetojmë një makth.”

Një prej viktimave në Itali ndërkohë ishte një zjarrfikës në Vale D`Aosta, ndërsa një tjetër një I ri tek të 30-tat në rajonin e Piemontit, makinën e të cilit e rrëmbeu uji. 17 persona rezultojnë të zhdukur këtu, mes tyre edhe një grup prej katër ekskursionishtësh gjermanë të cilët nuk u kthyen pas një ngjitjeje në mal. Një sërë fshatrash në Piemont janë izoluar nga shirat, që I kanë bërë rrugët të pakalueshme. Zyrtarët atje, ashtu si dhe ata të Ligurias kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Qyteti-lagunë I Venecias sakaq, që përgatitej për batica të mëdha është mbrojtur me sukses nga sistemi I barrierave që tani vunë hyri plotësisht në funksion. E ndërsa veriu I Italisë është në darën e motit të keq, Jugu po shijon diellin, e madje sipas meteorologëve mund të përballët edhe me një valë jo stinore të nxehti.

Top Channel