Në zonën separatiste të Transnistrisë në Republikën e Moldavisë, zgjedhja e një shkolle nuk ndan vetëm familjet. Prindërit që zgjedhin shkollën “e gabuar”, mund të bien në shënjestrën e KGB-së lokale.
Gabrieli ishte vetëm pesë vjeç, kur u nda nga prindërit e tij. Ai qëndroi me nënën e tij në zonën separatiste të Transnistrisë, një rrip i ngushtë toke në anën lindore të lumit Dniester, që u nda nga Republika e Moldavisë me ndihmën ruse në vitin 1992 pas një konflikti të shkurtër ushtarak. Asnjë vend në botë, madje as Rusia, nuk e njeh Transnistrian si shtet. Sipas së drejtës ndërkombëtare kjo zonë i përket Republikës së Moldavisë.
Babai i Gabrielit, Maksimi, një polic moldav, la punën, shkoi për të punuar në Itali dhe u martua me një ruse atje. Në vorbullën e lidhjes së re dhe jetës së re ai injoroi përpjekjet e vazhdueshme të vëllait të tij për ta bindur, që ta dërgonte djalin në një shkollë në gjuhën rumune në kryeqytetin moldav Kishinau, diplomat e së cilës njihen ndërkombëtarisht. Në vend të kësaj djali qëndroi në një shkollë në gjuhën ruse në Transnistri.
“Maksimi dëshironte mbi të gjitha që Gabrieli të bëhej burrë i vërtetë, dhe mendonte se Transnistria dhe ushtria transnistriane do të ishte idealja për këtë qëllim, po aq e ashpër sa dhe ushtria ruse. Argumenti i tij ishte, se edhe atë e kishte bërë ushtria sovjetike “burrë të vërtetë”, thotë xhaxhai i Gabrielit në bisedë me DW. Ai nuk dëshiron që t’i shkruhet emri, për arsye sigurie. Fundja ai është një nëpunës i shtetit moldav, që punon në Kishinau.
Të betohesh për besnikëri ndaj një “atdheu”, që nuk ekziston
Xhaxhai i Gabrielit tregon me hidhërim, se djali me të vërtetë ndoqi dëshirën e të atit, duke hyrë në të ashtuquajturën ushtri të regjimit separatist. Ai u betua për besnikëri ndaj një “atdheu”, i cili sipas së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston. Pak muaj më vonë përfundoi në spital, pasi u qëllua nga ushtarët më të vjetër sipas traditës sovjetike.
Sot djaloshi punon për shërbimin e sigurisë të Republikës së vetëshpallur të Transnistrisë. Madje edhe në varrimin e gjyshes së tij në anën tjetër të lumit, Gabrieli shoqërohej nga një koleg në një pozicion më të lartë, në mënyrë që të mos zbulonte gjoja sekretet e Transnistrisë, kujton xhaxhai i Gabrielit, i cili është kumbarë i tij dhe që i ka bërë dhuratë një motor për 18 vjetorin. Djaloshi nuk ia kishte lejuar vetes, të shikonte as edhe një herë të vetme në drejtim të xhaxhait. Pas ceremonisë së varrimit ai ishte zhdukur menjëherë, pas një përqafimi, pa një fjalë të vetme.
Si kanë lindur këto konflikte?
Konflikte të tilla familjare kanë të bëjnë edhe me linjat ndarëse brenda sistemit arsimor. Në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, ku gjuha e vendit sot është rumanishtja (një pjesë e madhe e shtetit të sotëm para Luftës së Dytë Botërore i përkiste Rumanisë), në vitet 1990 u shfuqizuan ligjet e vjetra sovjetike në fushën e shkollave publike dhe universiteteve. Sistemi i ri arsimor iu qas politikës moderne arsimore evropiane.
Ndërsa në zonën separatiste proruse të Transnistrisë sistemi shkollor është edhe sot identik me atë në Rusi. Në vitin 1994 qeveria e vetëshpallur në Tiraspol ndaloi madje përdorimin e shkronjave latine në shkolla. Fëmijët duhet të shkruanin edhe rumanishten me shkronja cirilike në vend të atyre latine, një anomali gjuhësore që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Kjo bën pjesë në politikën rusifikuese të qeverisë separatiste në Tiraspol. Në kopshte të paktën 90 përqind të fëmijëve në Transnistri u mësohet në rusisht, nëntë përqind të tyre në rumanisht dhe më pak se një përqind në ukrainisht, megjithëse në zonën separatiste 34.2 përqind e fëmijëve vijnë nga familje rumanishtfolëse, 31.4 përqind nga familje që flasin rusisht dhe 28 përqind nga familje që flasin gjuhën ukrainase. Në shkolla dhe universitete rusishtja është gjuha kryesore me përkatësisht 93 dhe 94.8 përqind.
Presion ndaj mësuesve, nxënësve dhe prindërve
Megjithë presionin e udhëheqjes separatiste në Transnistri ka ende tetë institucione arsimore, ku mësimi zhvillohet në gjuhën rumune, bazuar në shkrimin latin, të cilat janë nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit të Moldavisë në Kishinau. Që nga viti 2000 separatistët përpiqen t’i detyrojnë këto shkolla t’u binden “ligjeve” të republikës së vetëshpallur, duke përfshirë edhe përdorimin e shkrimit cirilik.
Ata nuk janë rezervuar as nga dhuna. Në vitin 2004 policia e Transnistrisë i rrethoi këto shkolla për javë të tëra, fëmijët u mbajtën peng. Vetëm përfaqësuesit e misionit të OSBE-së nga Kishinau mundën t’i furnizonin nxënësit me ushqimin e nevojshëm gjatë kësaj kohe. Më vonë prindër, nxënës dhe mësues nga Ribnita, Tighina (Bender) dhe Grigoriopoli iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kërkuan të drejtën e fëmijëve për arsimim. Në vitin 2012 gjykata vendosi, që kishte pasur shkelje të së drejtës për arsimim dhe fajësoi Rusinë se mban separatizmin transnistrian.
Tetë shkollat në gjuhën rumune ekzistojnë edhe sot në Transnistri, por presioni mbetet. Mësuesit shpesh thirren nga shërbimi i fshehtë transnistrian, i cili sipas modelit sovjetik quhet edhe sot KGB. Policia e Transnistrisë mbikqyr festimet e ditës së parë të shkollës. Para tyre drejtorët e shkollave “informohen” nga policia, se flamuri i Republikës së Moldavisë nuk duhet të duket gjëkundi në festë. Numri i nxënësve, që ndjekin shkollat në gjuhën rumune, ka rënë nga gati 6.000 në vitet 2004-2005 në vetëm 1.600 në vitin 2020, thotë Ion Manole nga Promo-Lex në bisedë me DW. Kjo OJQ moldave angazhohet për të drejtat e njeriut në Transnistri.
Prindërit e këtyre nxënësve jetojnë një jetë mjaft të rrezikshme. Për shkak se ai këmbëngul që e bija të vazhdojë të ndjekë një gjimnaz në gjuhën rumune me shkronja latine, babai i Oleseas, nxënëse në klasën e dymbëdhjetë, është arrestuar tri herë deri tani nga policia e Transnistrisë. Vajza udhëton për në shkollë gjithsej 50 kilometra vajtje e ardhje çdo ditë, që të përmbushë ëndrrën e saj të madhe, të studiojë në një universitet në vendin anëtar të BE, Rumani./DW
Top Channel