Edhe pas 2 vitesh, vrasja e gazetarit Khashoggi ende e pazgjidhur

02/10/2020 10:54

Edhe 2 vjet pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Stamboll, figurat kryesore të akuzuara në vrasjen e vitit 2018 nuk kanë dhënë përgjegjësi, por kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.

Dita e sotme shënon dy vjetorin e vrasjes së Khashoggit, i cili u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll. Trupi i tij nuk është gjetur kurrë ndërsa disa raportime sugjerojnë se ai është copëtuar.

Aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se vrasja ishte e paramenduar dhe kryer me udhëzime të Princit të Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, një akuzë që mohohet nga Rijadi zyrtar.

Në shtator, kryeprokurori saudit njoftoi vendimet përfundimtare për 8 të pandehurit e gjykuar për rastin Khashoggi. Prej tyre, 5 u dënuan me 20 vjet burg, një me 10 vjet dhe të 2 të tjerët morën dënime me 7 vjet burg.

Drejtësia u mohua shkaku i dështimit për të zbuluar identitetet e të pandehurve ose kush e mori atë dënim, duke forcuar pretendimet se gjyqi ishte thjesht një mbulim.

Krim i papërshkrueshëm

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ahmed Mefreh, një avokat i të drejtave të njeriut dhe drejtor ekzekutiv i Komitetit për Drejtësi me seli në Gjenevë, tha se vrasja e Khashoggit “u shndërrua nga vrasja e një gazetari në një çështje e opinionit publik ndërkombëtar, kështu që nuk do të ‘varroset’ ose të lihet mënjanë”.

“Rasti është një krim i kryer nga një sistem politik që sundon një vend arab, i cili përdor fuqitë e tij për të kryer vrasje brutale kundër kundërshtarëve të tij”, tha ai duke shtuar se “dosja e rastit nuk do të varroset, thjesht sepse ai nuk u varros”.

Mefreh tha se vrasja e Khashoggit është një “krim i papërshkrueshëm”.

Ai theksoi se “rasti do të mbetet i gjallë sepse ata që janë përgjegjës për vrasjen e tij janë ende të lirë. Ata nuk janë ndëshkuar”.

Ai po i referohej Princit të Kurorës Saudite bin Salman.

Mefreh më tej tha se procedura gjyqësore e rastit Khashoggi “nuk ka shkallën më të vogël të pavarësisë, transparencës dhe profesionalizmit”.

“Rasti Khashoggi nuk i përket vetëm familjes së tij dhe nuk janë ata që duhet të lirojnë autorët ose të shqiptojnë dënimin”, tha ai duke iu referuar faljes së njoftuar në rrjetet sociale nga djali i Khashoggit, Salah.

“Kjo bie në suaza të krimit të organizuar të kryer nga një sistem politik në një vend tjetër sovran”, shtoi Mefreh.

Gjyqi politik

Alaa Abdel-Monsef, një avokat dhe kreu i Organizatës Ndërkombëtare “Salam” për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut me qendër në Londër, tha: “Rrethanat e gjyqit sekret në Rijad tregojnë se e gjithë çështja është krijuar politikisht për të treguar se Arabia Saudite ka zbatuar ligjin dhe ka gjykuar kriminelët”.

Ai pohoi se “faktori kryesor që ndikon në çështjen është ndërhyrja e hapur e autoriteteve saudite në gjyq, pasi u emëruan anëtarët e familjes mbretërore”.

“Po të mos kishte qenë për presionin ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara, transparenca e institucioneve turke dhe mediave si dhe bashkësisë ndërkombëtare, rasti do të ishte varrosur plotësisht”, tha Abdel-Monsef.

Vlen të përmendet se raportuesja speciale e OKB-së për ekzekutimet pa gjyq, Agnes Callamard ka ndjekur vazhdimisht rastin që kur krimi ndodhi në Stamboll.

Në mars të vitit 2020, Prokuroria Publike e Turqisë lëshoi një aktakuzë kundër 18 të dyshuarve për rastin dhe rreth 4 muaj më vonë u mbajt seanca e parë e gjyqësorit turk ku filloi gjykimi në mungesë.

Abdel-Monsef akuzoi disa agjenci perëndimore, pa i përmendur ata, se “qëllimisht kanë mbyllur sytë” ndaj autorëve të krimit për shkak të interesave të fshehta në Arabinë Saudite.

Në një raport me 101 faqe të botuar nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në verën e vitit 2019, Arabia Saudite u mbajt përgjegjëse për vrasjen “me dashje” të Khashoggi, duke theksuar se ka prova të dokumentuara për hetimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë Bin Salman./AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA