Në Serbi janë shtuar zërat sipas të cilave shifrat e vdekjeve nga Covid 19 janë shumë larg realitetit.

Për këtë arsye, Aleksandar Vuçic njoftoi se do të bëhet një rishikim i plotë i të dhënave mbi jetët e humbura nga sëmundja për të parë nëse numrat përkojë ne ato të sistemit.

“Shteti nuk ka asgjë për të fshehur”, tha presidenti serb, që shprehet i bindur se në fund, mes shifrave nuk ka për të pasur dallime.

“Serbia do të bëjë një rishikim të plotë për çdo vdekje, për çdo person, për të parë se si duket gjendja”, theksoi ai.

Epidemiologu dhe anëtari i Shtabit të Krizave të Qeverisë së Serbisë, Predrag Kon deklaroi në 29 shtator se, sipas llogaritjeve të tij, në Beograd, deri në muajin qershor, kanë vdekur tre herë më shumë qytetarë serbë prej Covid 19 nga sa raportohet.

Një ditë më vonë, Kon fajësoi sistemin e informacionit, në të cilin anëtarët mjekësorë të Shtabit të Krizave janë mbështetur kur kanë komunikuar të dhënat. Që prej fillimit të pandemisë, Serbia ka raportuar 749 persona të vdekur nga koronavirusi dhe mbi 33,500 infektime.

Top Channel