Shkencëtarët kanë zbuluar dy të ashtuquajtur “super antitrupa” të cilët bllokojnë depërtimin e virusit Sars Cov 2 në qeliza.
Ato veprojnë me mekanizma pak më të ndryshëm dhe u pa se kur administrohen në doza të vogla, individualisht ose së bashku, ishin në gjendje të parandalojnë infeksionin tek minjtë. Rezultati i studimit të botuar në revistën Science i hap rrugën terapive të reja, të cilat mund të bazohen në një koktej antitrupash të tillë. Një nga pjesëmarrësit në studim, virologu Massimo Galli, i quajti tejet premtues dy antitrupat e rinj neutralizues, të quajtur S2E12 dhe S2M11.
Kërkuesit i identifikuan ata pas një verifikimi të kujdesshëm të gati 800 antitrupave të izoluar nga 12 pacientë që arritën të shëroheshin nga sëmundja. Mekanizmi i veprimit në organizmin e tyre është studiuar në nivelin molekular falë kërkimit me super mikroskopin krio-elektronik, një teknologji kjo e vlerësuar me Nobelin e Kimisë në 2017-tën.
Në këtë mënyrë u zbulua se si S2E12 dhe S2M11 e ndalojnë virusin që t`i ngjitet receptorëve Ace -2 të qelizës pritëse, e njëri prej tyre arrin të bllokojë dhe proteinën e famshme Spike që koronavirusi përdor si çelës për të hyrë në qelizë.
Përveç neutralizimit të virusit, këto antitrupa gjithashtu duket se favorizojnë reagimin e qelizave specifike imune që luftojnë infeksionet, duke i ndihmuar të eliminojnë armikun.
Top Channel