Vazhdimi i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të prolongohet për shkak të qëndrimeve të kundërta të Kosovës dhe Serbisë, rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vlerësojnë nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe nga Platforma CiviKos.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Derisa Kosova thotë se çështja e Asociacionit është çështje e mbyllur, edhe pse ende nuk është formuar, Serbia insiston që për këtë çështje duhet të diskutohet sërish. Madje, në takimin e fundit të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh në Bruksel, Beogradi e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me këtë çështje. Edhe BE-ja këmbëngulë që Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian ka sqaruar se qëndrimi i saj mbetet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet dhe se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Xhavit Beqiti, këshilltar për media i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se pengesat ose ndërprerja e dialogut, duhet parë si “pjesë e strategjisë të Qeverisë serbe për t’i bërë obstruksione vetë procesit”.
“Ka qenë një strategji e tyre për t’i shkaktuar pengesa këtij procesi. Shtyrja apo vonesat eventuale (të takimeve) nuk janë aspak si pasojë e qëndrimit të Kosovës, por si pasojë e obstruksioneve të Qeverisë serbe. Beogradi zyrtar e di mirë se çështja e Asociacionit ka marrë fund me marrëveshjet që janë bërë më 2013 dhe në Marrëveshjen e parimeve më 2015”, tha Beqiri për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen, por jo “në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse, sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë, që të jetë në përputhje me rregulloret e Prishtinës ose Beogradit dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”.
Jeta Krasniqi, analiste e Institutit Demokratik të Kosovës, konsideron se gjatë dialogut, dhe jo vetëm tani kur po flitet për një çështje të ndjeshme, siç është Asociacioni, por edhe me vonë, mund të ketë bllokim ose shtyrje të vet procesit.
“Ne e kemi parë në vazhdimësi që Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut dhe nuk do të ishte diçka e re nga ana e tyre. E kemi parë se Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës, e më pas edhe me heqjen e reciprociteti dhe kjo formë e kushtëzimit të dialogut nga ana e Serbisë të cilën po duket se edhe ndërmjetësuesi është duke e pranuar, është një formë e cila dëmton vetë procesin e dialogut”, tha Krasniqi.
Krasniqi thekson se procesi i dialogut, nuk duhet lejuar që të kushtëzohet edhe të bllokohet. Ajo thotë se as ndërmjetësuesit në Bruksel, nuk duhet të marrin për bazë dhe të vendosin në rend të parë kushtëzimet që mund të vijnë nga pala serbe.
Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive të Platformës CiviKos, e cila i bashkon organizatat të shoqërisë civile, shpreh mendimin se procesi i dialogut mund të ndërpritet pasi vetë Serbia ka plane dhe synime që procesi i dialogut të mos përfundojë në një kohë të shpejtë, ashtu siç pretendohet.
Ajo thekson se çështja e Asociacionit si çështje e ndjeshme, qëllimisht po përmendet në këtë kohë nga pala serbe.
“Duke e parë se kjo çështje mund ta prolongojë procesin, Serbia e shtyn çështjen më të ndjeshme në mënyrë që ta bllokojë procesit e dialogut sepse në fund të fundit, kjo status-quo i konvenon Serbisë më shumë sesa Kosovës. Duke i parë të gjitha këto, Vuçiqi në mënyrë shumë strategjike po e shtyn çështjen më sensitive, e cila çështje sjellë më së shumti polarizim brenda Kosovës edhe po tenton që këtë ta kalojë me një qeveri të pafuqishme, si ajo e Hotit”, tha Emini.
Megjithatë, analistja Emini, përkujton se Marrëveshja e asociacionit nuk është zbatuar që nga viti 2013 dhe siç thotë ajo, kthimi i delegacionit të Kosovës në tavolinën e Bruksel dhe vazhdimi i dialogut, nuk është në favor të Kosovës.
“Ka mungesë të sinqeriteti prej zotit Hoti sepse është ditur fillimisht që nëse dialogu kthehet në Bruksel, Asociacioni do të diskutohet sepse ka qenë një punë e lënë në gjysmë që prej vitit 2013, pastaj më 2015 dhe është konsideruar vazhdimisht si marrëveshje e cila nuk është zbatuar nga Kosova”, tha Emini.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Më 2015, po në kuadër të dialogut të Brukselit, palët arritën Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, marrëveshje e cila ende nuk është jetësuar, përkundër insistimit të Beogradit zyrtar. Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si qëllim është thënë se ka normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes dy vendeve. Një synim të ngjashëm e kanë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.rel
Top Channel