Piktura me pallatet që nuk janë më/ Ekspozitë e piktorit nga Shijaku, Ermir Llaftiu

29/09/2020 12:21

Në galerinë e arteve pamore të qytetit bregdetar të Durrësit vijon të jetë e hapur ekspozita “Shtegtimi i gjethes” e piktorit Ermir Llaftiu.

Kjo është ekspozita e parë personale e piktorit nga Shijaku që sjell ngjyrat e vjeshtës dhe natyrës urbane e rurale në 78 punime të realizuara në vaj.

“Shtegtimi i gjethes ka të bëjë me një moment poetik dhe personal. Kam një poezi “Vdekja e gjethes” dhe që të ofron atë momentin e shkëputjes së gjethes dhe një krahasim me nxjerrjen e një pikture, që shkëputet nga ti dhe merr rrugën e vet”.

I diplomuar për art konceptual në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë, piktori vjen përballë artdashësve durrsakë me peizazhe klasike dhe natyra të qeta, të realizuara gjatë dy viteve të fundit.

“Kisha nevojë për të vënë ngjyra në telajo dhe peneli sikur nuk më plotësonte. Spatula të bën më energjik, më të fuqishëm. Me penel je shumë i kujdesshëm dhe shpesh merresh me detaje që janë ndonjëherë të panevojshme. Mendoj që është më efikase.”

Shumë nga pallatet që ai ka sjellë në peisazhet urbane të qytetit të tij, Shijakut, nuk janë më. Ato janë rrafshuar pas tërmetit të 26 nëntorit, duke dëshmuar se peizazhi ndryshon, ashtu si dhe koha e arti.

“Janë peizazhe që janë bërë para tërmetit dhe këto pallate nuk janë më. Ndjehem fatlum që i kam bërë këto.”

Top Channel