Holanda nis nga sot zbatimin e masave të reja kundër koronavirusit, pasi numri i rasteve të reja në ditë i është afruar tashmë 3-mijëshit. Shumë qytetarë, për herë të parë, do të këshillohen të vendosin maska në dyqane.
Kryeministri Mark Rutte tha se situata në tre qytetet më të mëdha të vendit – Amsterdam, Roterdam dhe Hagë – është bërë “serioze” dhe kërkon veprime urgjente.
“Nuk eshte se do ta luftojmë virusin duke shenjestruar vetëm një sektor, apo duke paraqitur vetëm një lloj mase. Duhet të ndajmë bashke sakrificat. Sigurisht që keto masa kanë pasoja negative mbi ekonomine. Por po e lejuam virusin të përhapet, pasojat do të jenë edhe më të mëdha”.
Nga e marta, njerëzit duhet t’i shmangin udhëtimet jothelbësore midis këtyre tre qyteteve, theksoi Rutte. Restorantet dhe baret do të duhet të mbyllen deri në orën 22:00. Njerëzit këshillohen të punojnë nga shtëpia, ndërsa tifozët nuk do të lejohen më të marrin pjesë në ngjarje sportive.
Mbajtja e maskave është e detyruar në transportin publik dhe ndonëse qytetarët nuk e kanë gjithashtu detyrimin t`i mbajnë dhe nëpër dyqane, pronarët apo shitësit kanë të drejtën t`i refuzojnë klientët që nuk e mbulojnë fytyrën. Masat e reja do të zgjasin të paktën tre javë. Krahasuar me fqinjët e saj, Holanda i kishte shmangur deri tani në masë të madhe kufizimet e rrepta. Vendi me 17 milionë banorë ka konfirmuar mbi 115,000 raste me koronavirus dhe mbi 6,400 viktima.
Top Channel