Lufta në Nagorni-Karabakh/ Ndërhyn Erdogan, i kërkon armenëve që të largohen nga rajoni i okupuar

29/09/2020 01:00

Presidenti Turk, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar Armenisë ti japë fund okupimit të Nagorni-Karabakut pasi përleshje vdekjeprurëse u regjistruan në kufirin e rajonit separatist të Azerbajxhanit.

“Ka ardhur koha që kriza në rajon, që nisi me pushtimin e Nagorni-Karabakut, të marrë fund. Sapo Armenia të largohet nga territori i okupuar, paqja dhe harmonia do të kthehen në rajon”- tha Erdogan.

Armenia dhe Azerbajxhani janë angazhuar në një përplasje territoriale për rajonin etnik armen të Nagorni-Karabakut, prej dekadash, me luftime vdekjeprurëse që u panë më herët këtë vit dhe në 2016. Rajoni ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani pas një lufte në fillim të viteve 90, që mori 30 mijë jetë njerëzish, por nuk është njohur nga asnjë vend, përfshirë Armeninë, dhe vazhdon të konsiderohet pjesë e Azerbajxhanit nga komuniteti ndërkombëtar.

Luftime të ashpra janë zhvilluar mes forcave të Azerbajxhanit dhe atyre armene të hënën, ç’ka edhe ndezi retorikat luftarake të fuqisë rajonale, Turqisë, pavarësisht apeleve ndërkombëtare për ndaljen e luftimeve mes armiqve të hershëm. Ministria e mbrojtjes e Nagorni-Karabakut tha se 27 luftëtarë ishin vrarë të hënën duke e çuar totalin e humbjeve ushtarake në 58.

Bilanci total i viktimave ka shkuar në 67, përfshirë këtu edhe nëntë civilë, shtatë në Azerbajxhan dhe dy në anën Armene. Azerbajxhani vetë nuk ka raportuar viktima mes ushtarëve të tij, por zyrtarët Armenë publikuan foto të mjeteve të blinduara dhe tankeve të tij në flakë dhe mbetje të veshjeve të kamuflazhit që thanë se i përkisnin trupave të Azerbajxhanit. Armenia ndërkohë ka akuzuar Turqinë se po përzihet në konflikt duke dërguar mercenarë në ndihmë të Azerbajxhanit.

Top Channel