Debati Presidencial/ Trump tenton rinisje në minutën e fundit, refuzon përgatitjet për përballjen deçizive

29/09/2020 16:56

Të gjitha përforcimet janë mbledhur: Një tufë kartash me pyetjet përpara dhe përgjigjet prapa.

Nëse të gjitha këto mund të ndihmojnë Presidentin Donald Trump të realizojë një debat fitimtar sot në mbrëmje, mbetet për t’u parë. Teksa i afrohemi shfaqjes finale elektorale të këtij viti, Trump ka refuzuar përgatitjet formale si të panevojshme dhe shpreson  t’ia lërë instinkteve të tij arritjen e suksesit.

Tashmë përpjekjet e stafit për të përgatitur Trump për debatin e shumëpritur janë kthyer në shpërthime sporadike emocionesh, siç ishte sesioni 30-minutësh i fundjavës së shkuar. Të dielën ata rinisën me përgatitjet e pyetje-përgjigjeve që ekspertët e fushatës kishin përgatitur për të përcaktuar atë që rivali demokrat Joe Biden mund të ketë më të dobët. Sipas burimeve të CNN Trump ka bërë një përgatitje totale prej më pak se dy orë.

Zbulimet e reja për taksat e Trump po detyrojnë ndihmësat e tij për të gjetur mënyra të reja të përballjes, kur çështjet të ngrihen në mënyrë të paevitueshme nga Biden.

Deri tani përgjigja e Trump ka qenë një përzierje kontradiktore që thotë se raportimi në New York Times është i rremë, por gjithashtu duke insistuar se informacioni i përdorur është përftuar në mënyrë ilegale.

Ish guvernatori i New Jersey, Chris Christie dhe avokati personal i presidentit Rudy Giuliani — i cili ishte dje në Shtëpinë e Bardhë për të menaxhuar çështjet e taksave — kishin ardhur për përgatitjet e debatit.

Dje Christie erdhi në Shtëpinë e Bardhë me Kellyanne Conway, këshilltaren e vjetër të Trump që u largua në gusht nga puna në Shtëpinë e Bardhë duke cituar arsye familjare.

Tashmë i mbetur prapa në votimet e hershme Trump shpreson që debati i sotëm në sallën e Universitetit Case Western Reserve në Cleveland t’i japë atij shpëtimin e minutës së fundit në përpjekjen e rizgjedhjes. Ndihmësat besojnë se një performancë e mirë e Trump do të nxisë mbështetësit e tij të votojnë, duke thyer entuziazmin e demokratëve.

Trump përballet me dobësinë e njohur të presidentëve në detyrë që nuk performojnë në debatin e parë elektoral, edhe pse në shumicën e rasteve ata i kanë rifituar zgjedhjet. Konfrontimi me rivalët pas fitores së zgjedhjeve brenda partisë ka qenë i vështirë.
Trump nuk e ka vrarë mendjen për përgatitje edhe në zgjedhjet e para katër vjetëve, dhe me shumë gjasa mund të mos ta bëjë as kësaj radhe.

Ai ka shprehur dëshirën për të vënë përpara Biden me sulme të rënda personale si ato të korrupsionit për të birin Hunter dhe ato për të kaluarën e Biden, që prej plagjiaturës deri te ato më të fundit për sjelljet seksuale.

Trump ka akuzuar Biden për marrje drogash stimuluese të performancës para debatit, dhe ekspertët presin që ta bëjë përsëri.

Teksa Biden është mbyllur në bazën e tij në Wilmington, Delaware për përgatitjet, aktiviteti përgatitor i Trump është pak e shumë i hapur për t’u parë nga të gjithë, që prej eventeve në Shtëpinë e Bardhë deri te seria e mitingjeve apo te seancat publike të golfit.

Dje Trump bëri paraqitjen surprizë në kompleksin e golfit South Lawn dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë me njoftimin për testimet e Covid.

Të shtunën presidenti ishte i preokupuar me njoftimin e gjykatëses së re të Gjykatës së Lartë, Amy Coney Barrett si e nominuara e tij, dhe kjo nuk i ka lënë kohë fare për përgatitjet për debatin.

Barrett dhe familja e saj e madhe kaluan disa orë në Shtëpinë e Bardhë, me presidentin dhe Zonjën e parë.

Ndërkohë Christie e Giuliani ishin duke luajtur golf me Trump të dielën por thanë se gjithashtu po praktikonin për debatin me Biden. “Kemi bërë pak përgatitje para se të vinim këtu. Megjithëse nuk duket, gjithçka është njëfarë përgatitje për debatin, ne çdo ditë e bëjmë këtë”, tha Trump.

Burimet thonë se ndihmësit e Trump po përgatisin linjat për t’u thënë nga Trump ndaj provokimeve të pritura prej Biden, si ato të keqmenaxhimit të pandemisë së koronavirusit, çka presidenti pritet t’i përgjigjet me vendimin e ndalimit të udhëtimit me Kinën.

Ata presin gjithashtu që Biden të përmendë trajtimin nga Trump të veteranëve të ushtrisë, të cilin presidenti do ta refuzojë me komentet për përpjekjet e tij që siguruan financime rekord për Pentagonin si dhe duke akuzuar demokratet e Biden për mbështetje të luftërave pa fund të SHBA jashtë vendit.

Komisioni i debateve Presidenciale, i cili organizon eventet elektorale, tha dje se nuk do të ketë deklarata hapjeje nga kandidatët, dhe vetëm një numër të kufizuar të ftuarish në sallë.

Mes tyre do të përfshihen zonja e parë Melania Trump dhe bija e presidentit Ivanka. Kandidatët nuk do të shtrëngojnë duart as me njëri-tjetrin e as me moderatorin, Chris Wallace nga Fox News. Ata nuk do të mbajnë maska në sallë, por të gjithë të pranishmit do të testohen për Covid.

Top Channel