​Turqia ndihmon Azerbajxhanin në luftë kundër Armenisë

29/09/2020 16:43

Turqia është e vendosur të ndihmojë Azerbajxhanin “të rifitojë territoret e saj të okupuara” në Nagorno-Karabak, tha sot një përfaqësues i presidencës turke.

“Turqia do të angazhohet plotësisht për të ndihmuar Azerbajxhanin për të rifituar territoret e saj të okupuara dhe për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj sipas ligjit ndërkombëtar,” tha Fahretin Altun, drejtori i komunikimit i presidencës turke.

Ai vlerësoi se bota nuk mund të lejojë që “agresori dhe pala e dëmtuar të vihen në të njëjtin nivel në emër të të ashtuquajturit parimi i neutralitetit”.

Turqia beson se Armenia po pushton Nagorno-Karabakun përmes separatistëve armiqësorë ndaj Baku.

Më herët, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për t’i dhënë fund “pushtimit” armene të Nagorno-Karabakut në mënyrë që t’i jepet fund konflikteve në të cilat separatistët e mbështetur nga armenët kundërshtojnë forcat e Azerbajxhanit.

Një deklaratë nga presidenca turke erdhi menjëherë pasi Kremlini i bëri thirrje Ankarasë që të përmbahet nga “shtimi i karburantit në zjarr” dhe të punojë për paqen në Nagorno-Karabak, ku gati 100 njerëz janë vrarë në luftime që nga e diela.

Dje, Bashkimi Evropian e vlerësoi situatën në Karabak si “shumë shqetësuese” dhe çdo ndërhyrje në atë rajon si “e papranueshme”.

Top Channel