Restoranti më i vjetër në botë, Botin, në luftë të mbijetesës kundër Covid-19

28/09/2020 17:20

Restoranti më i vjetër sipas librit “Guinness” të rekordeve botërore, restoranti 295-vjeçar “Botin” në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, përballet me luftën e mbijetesës kundër problemeve socio-ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

Përderisa Spanja vazhdon të qëndrojë si fokusi i pandemisë në Evropë, turizmi ka ardhur në pikën e ngecjes dhe masat e rrepta rrit edhe më shumë problemet e sektorit të restorantëve.

Mbi 40.000 restorante, bare ose kafene në mbarë vendin u detyruan të mbyllen duke mos mundur të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.

Restoranti “Botin” që shërben nga viti 1725 në Madrid, edhe pse është më me fat në krahasim me restorantet tjera në sektor për shkak të reputacionit, përvojës dhe kapacitetit, për shkak të pandemisë përjetoi humbje të mëdha.

Antonio Gonzalez, një ndër anëtarët e gjeneratës së tretë të familjes spanjolle që janë në krye të restorantit që nga vitet 1930-ta, në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se “As në Luftën e Brendshme të Spanjës ky restorant nuk u mbyll. Gjyshi im vazhdoi të punojë këtu. Por (restoranti) në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për shkak të COVID-19 (14 mars-21 qershor) qëndroi mbyllur me vendimet e marrë”.

Ai tha se pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme çdo mëngjes kanë hapur furrën rreth 300-vjeçare të cilin e cilësoi si “diamanti i restorantit”.

“Ka dy arsye për këtë. E para furrat antike të tilla shkaktojnë probleme serioze nëse qëndrojnë të mbyllur gjatë. Duhej ta mbajmë të nxehtë për ta ruajtur aromën. Ndërsa e dyta, është romantike për ne çdo ditë ta nxehim furrën”, u shpreh Gonzalez.

Ai ndikimin e COVID-19 ndaj restorantit Botin e cilësoi si “një ndryshim i tmerrshëm dhe i papritur”. “Në ditë normale restoranti ynë priste rreth 600 myshteri në ditë. Por tani ky numër u ul në 60. Prej 75 punonjës 63 janë në shtëpitë e tyre me grant afatshkurtër të punës. Vetëm 12 punojnë. Humbja jonë mujore është 50-60 mijë euro. Kështu mund të qëndrojmë edhe vetëm 1-2 vite”, tha ai.

Gonzalez tregoi se shumica e klientëve të tyre janë vizitorët që vijnë në Madrid nga Spanja ose jashtë vendit, por se tashmë nuk vijnë për shkak të COVID-19.

Ai tha se kanë marrë të gjitha masat ndaj virusit që janë të parapara me ligjet.

Në lidhje me librin “Guinness” të rekordeve botërore, Gonzalez deklaroi se, kanë hyrë si restoranti më i vjetër në botë pasi në vitin 1987 një klient i tyre britanik ka ndërmarrë iniciativë pa kërkesën e tyre.

“Para ne ishte tek një restorant në Paris. Por për të marrë këtë titull duhet të kesh çdo herë emrin e njëjtë, në vendin e njëjtë dhe mos të mbyllet asnjëherë”, theksoi Gonzalez.

Restoranti ka marrë famë botërore pasi shkrimtari amerikan Ernest Hemingway në pjesën e fundit të romanit të parë të tij “Edhe dielli lind” (The Sun Also Rises) ka përmendur këtë restorant.

Shumë shkrimtarë gjithashtu i kanë dhënë pjesë karakterëve të tyre në këtë restorant.

Francisco de Goya para se të bëhet piktor ka larë pjata këtu.

Restorantin që gatuhen ushqimet tradicionale spanjolle, e kanë vizituar edhe shumë emra të rëndësishëm si Ava Gardner, Woody Allen dhe të tjerë.

Top Channel