Astrit Gjoka është pronar i një trualli dhe ndërtimi të regjistruar në hipotekë, por banesa është zaptuar sipas tij nga dy vëllezërit Kepi, njëri ish kreplaku i Kodër Prezës, dhe tjetri punonjës i bashkisë Vorë. Banesa është dëmtuar nga tërmeti dhe dy vëllezërit pa asnjë titull pronësie kanë aplikuar për dëmet e banesës. Dëme që sipas bashkisë i përkasinë kategorisë D5. Vlera e dëmit arrin deri në 50 milionë lekë të vjetra.

Zoti Gjoka tregon për Fiks Fare se në fillim të viteve ’90 shiti shtëpinë në Tiranë. Mori një kredi dhe ndërtoi një shtëpi banimi në Kodër Prezë. Projekti i shtëpisë u punua nga babai i tij arkitekt. Pas disa vitesh, në 1997 bashkëshortja e tij plagoset me plumb qorr dhe ai detyrohet të udhëtoj drejt Italisë. Shtëpinë e lë nën kujdesin e disa të njohurve. Kur kthehet ata e kishin zaptuar shtëpinë dhe jetonin aty. Në këto kushte ai i kërkon të paguajnë këstet e kredisë dhe le ta gëzojnë. Por zotërinjtë nuk paguajnë asnjë këst dhe pas kësaj përmbarimi vjen për të bllokuar pronën. Me t’u informuar Astrit Gjoka i kërkon të dalin, por ata refuzojnë. Kështu nisin kalvaret gjyqësore për kthimin e shtëpisë. Zotërinjtë që e kanë zaptuar sipas tij janë Shefqet dhe Kadri Kepi. Njëri ish kryeplak, tjetri aktualisht punonjës i Bashkisë Vorë në zyrën e ujësjellësit. Gjyqi i parë me Shefqet Kepin u bë pasi ky i fundit si kryeplak, nuk pranonte t’i administronte dokumentet që ai kishte për shtëpinë për të vijuar me regjistrimin.
Astrit Gjoka zotëron certifikatën e pronësisë së truallit dhe kartelën e pasurisë ku është i përfshirë edhe ndërtimi. Zotërinjtë që e kanë zaptuar kanë aplikuar për leje legalizimi, por u është pezulluar. Por mos pasja e asnjë lloj titulli pronësie mbi objektin nuk i ka penguar ata që të aplikojnë për dëme nga tërmeti pranë Bashkisë Vorë. Nga D2, që ishte në fillim sipas Astrit Gjokës, dhe që kishte vetëm meremetime që rregullohen me 2,5 milon lekë të vjetra, dëmtimet çuditërisht janë rivlerësuar si D5 ku dëmi shkon deri në 25 milion lekë të vjetra për secilin. Sipas tij policia dhe ASHK ku ai është ankuar i kanë nisur letra urgjent për kërkesë përgjegjëses, por ajo deri më sot nuk i është përgjigjur askujt. Ajo sipas tij refuzon ta takojë dhe dosjet që ai ka dorëzuar nuk gjenden në bashki.

Përgjegjësja e rindërtimit e Bashkisë Vorë refuzon të marrë dokumentet e pronarit për dëmet e tërmetit dhe pranon aplikimet e dy personave zaptues të cilëve u është pezulluar leja e legalizimit dhe nuk gëzojnë asnjë titull pronësie.

Fiksi u interesua pranë Bashkisë Vorë. Me mbërritjen e gazetarëve aty, Bashkia Vorë mbylli zyrat. Përgjegjësia e rindërtimi rezultoi pa zyrë. Punonjësit e tjerë pretendonin se ajo nuk ka zyrë dhe asnjë nuk e dinte ku rrinte Miranda, përgjegjësia. Ndërsa nën kryetari i bashkisë mbyll derën me çelës dhe nuk na e hap. Roja i institucionit i nxjerrë jashtë gazetarët, me argumentin se nëse nuk do të dilnin do të humbte vendin e punës. Të nesërmen grupi i xhirimit vajti sërish pranë Bashkisë Vorë. Përgjegjësja sërish nuk pranoi të takojë gazetarët e Fiksit, por kërkoi shkresë zyrtare me shkrim.

Fiks Fare u i interesua edhe pranë vëllezërve që akuzohen se kanë zaptuar pronën. Ata kërkojnë të ndalojnë gazetarët të filmojnë duke i shtyrë e mos i lejuar as në rrugën ku ndodhet banesa. Kur pranojnë të japin intervistë ata nuk arrijnë të vërtetojnë zotërimin e një dokumenti pronësie.
Ata pretenduan se kanë leje legalizimi, por dokumenti i ASHK-së, i Shtatorit 2020 hedh poshtë pretendimet e tyre. Sipas këtij dokumenti që i është vënë në dispozicion edhe bashkisë thuhet se ata kanë aplikuar në 2005, por aplikimi i tyre është pezulluar. Për sa kohë ata nuk kanë një akt pronësie dhe nuk kanë një vendim gjykate të formës së prerë, ata nuk kanë të drejtë të aplikojnë për dëmet e tërmetit mbi banesën ku aktualisht jetojnë. Këtë të drejtë e ka vetëm pronari që vërteton se është i tillë me anë të disa dokumenteve, siç e parashikon edhe VKM-ja.

Top Channel