“Arti në prag falimentimi”/ Artistët njëzëri: Shteti ose të na subvencionojë ose të na lejojë të ushtrojmë profesionin

28/09/2020 18:21

Autoritetet kanë vendosur 1 tetorin, si datën ku lokalet e baret do të jenë të aksesueshme edhe në ambientet e tyre të brendshme, ndërsa projektligji që ndalon muzikën është ende në fuqi.

Për këtë arsye, artistë e këngëtarë kanë shprehur në media shqetësimin e tyre, pasi thonë se janë në prag të falimentimit. Kjo problematikë u risoll në vëmendje në studion e emisionit “Ftesë në 5”, ku të ftuar ishin këngëtarët Elton Deda dhe Xhesika Polo, si edhe violinistja Ines Memisharaj.

Këngëtari Elton Deda, u shpreh se është dakord me masat e qeverisë, por për aq kohë sa ata janë të mbyllur shteti t’i subvencionojnë, ose të paktën t’i lejojë të ushtrojnë profesionin. Ai tha se komuniteti i këngëtarëve është në pritje se çfarë do të ndodhë me ta.

“Zëri jonë nuk mund të shkojë po nuk pati mirëkuptim ndaj atyre që marrin masa kundër nesh. Kjo është një masë që është marrë në kuadrin e pandemisë dhe i kuptojmë këto gjëra, por kur bëhet shumë bëhet shumë. Ne kemi tetë muaj pa sjellë të ardhura në shtëpitë tona. Është momenti i duhur për të kuptuar çfarë do të bëhet me ne. Në momentin që na kanë mbyllur, por okay jo për faj të Edi Ramës dhe Manastirliut. Edhe bota i ka mbyllur, por ato subvencionohet dhe ne jo. Paga e luftës ishte vetëm tre muaj, për njerëzit që nuk ushtrojnë dot profesionin e vet, qeveria duhet të jetë e detyruar për të ndihmuar këta njerëz. Vendosu ti në vendit tim Bieta dhe flasim më pas. Është shumë e qartë, ne kemi qenë të mbyllur si jashtë edhe brenda. Në përgjithësi ne kemi qenë të mbyllur, si jashtë, si brenda. Ose të na lejnë të punojmë ose të na kompensojnë. A je shteti im? Ke detyrë të kujdesesh për mua. Një qytet, pa këngë, teatër, art është i vdekur”, u shpreh Elton Deda.

Pyetjes së Bietës në lidhje me të ardhurat Xhesika Polo iu përgjigj kështu:

“Absolutisht po. Jo faktikisht kjo është një pyetje që merret me mend në këtë rast, kur t’i nuk e vendos në punë. Kur nuk na jepet një kompensim, një zgjidhje, kur ne jemi persona që nuk e ushtrojmë profesionin jo për fajin tonë. Jemi ne që jemi lënë në harresë, sepse nuk po na japin informacion se sa do të zgjasë kjo gjë. Grumbullimet masive sjellin përhapjen e Covid-it dhe bie dakord për këtë pjesë. Janë bërë koncerte në sheshe, grumbullime ka pasur. Sipas tyre nëse i organizon bashkia këto festa, ne pse jo”.

Ndërsa violinistja Inis Memisharaj tha:

“Një artist duhet të punojë live, ta ketë publikun. Kuptoje tani çfarë duhet të ndjej një artist. Ti hap restorantet ku t’i do të hash me gojë dhe do ta heqësh maskën, kjo është pa kuptim”.

Top Channel