500,000 peshkaqenë mund të vriten për të prodhuar vaksinën e koronavirusit

28/09/2020 19:38

Ambjentalistët kanë paralajmëruar se fundmi se gjysmë milionë peshkaqenë mund të therren për përftimin e një ingredienti të përdorur në vaksinat e reja të koronavirusit.

E njohura si skualina, është një vaj natyral i prodhuar nga mëlçia e peshkaqenëve dhe po përdoret në vaksinat aktuale të Covid-19.

Substanca përdoret aktualisht në mjekime si rinovues e stimulues i organizmit, si një ingredient që rrit efektivitetin e vaksinave duke forcuar reagimin e sistemit imunitar.

Gjigandi britanik i mjekimeve GlaxoSmithKline përdor skualinën e peshkaqenëve në vaksinat e gripit të zakonshëm, ndërsa ka thënë se po prodhon 1 miliardë vaksina koronavirusi brenda muajit maj.

Për të përftuar një ton skualinë nevojiten 3,000 peshkaqenë.

Në një publikim të grupit të mbrojtjes së kafshëve Shark Allies, në Kaliforni, thuhet se rreth 250,000 peshkaqenë do të duhet të vriten për të përftuar 1 vaksinë të vetme Covid-19 për të gjithë popullatën e botës, që përmban vajin e mëlçisë.

Studiuesit kanë thënë se për imunizimin nga Covid-19 do të duhen të paktën dy doza dhe kjo ngre numrin e viktimave të mundshme nga bota e egër ujore në gjysmë milioni.

Stefanie Brendl, themeluesja e Shark Allies, tha: “Grumbullimi i një ingredienti nga kafshët e egra nuk është asnjëherë aktivitetet i qëndrueshëm veçanërisht nga një predator i klasit të lartë që nuk riprodhohet në numra të mëdhenj.”

“Ka ende shumë të panjohura mbi këtë pandemi, mbi variantet apo kohëzgjatjen e saj. Nëse ne vazhdojmë të përdorim peshkaqenët, numrat e vrasjes së tyre do të rriten nga viti në vit”.

Ambjentalistët llogarisin se aktualisht rreth 3 milionë peshkaqenë vriten çdo vit për skualinën, e cila përdoret në industrinë e kozmetikës dhe në vajin e makinerive. Shkencëtarët janë duke kërkuar për një version sintetik të produktit, të krijuar nga kallami i shqerit i fërmentuar, me qëllim mbrojtjen e popullatës së peshkaqenëve.

FOTO GALERI
1/4
Skualina, është një vaj natyral i prodhuar nga mëlçia e peshkaqenëve dhe po përdoret në vaksinat aktuale të Covid-19

Top Channel