Referendumi në Zvicër/ “ Fiton” lëvizja e lirë e njerëzve

27/09/2020 16:33

Zgjedhësit zviceranë kanë refuzuar në një referendum propozimin për t’i dhënë fund marrëveshjes me BE-në për lëvizjen e lirë të njerëzve.

Transmetuesi SRF në Zvicër tha se zgjedhësit e kanë refuzuar planin me 63 për qind të votave kundër 37 për qind që u shprehën pro fundit të lëvizjes së lirë.

Zvicra nuk është vend anëtar i BE-së, por aktualisht e pranon lëvizjen e lirë në mënyrë që të ketë akses tek tregtia e lirë dhe bashkëpunimi me Brukselin në fusha si transporti dhe edukimi.

Propozimi erdhi nga Partia Popullore Zvicerane e krahur të djathtë dhe pasonte një referendum të 2014 për vendosjen e kuotave për emigrantët nga BE që u miratua me një diferencë të vogël.

Mbështetësit e planit për ndalimin e lëvizjes së lirë pretendonin se kjo do ta lejonte zvicrën të kontrollonte më mirë kufijtë e saj dhe të përzgjidhte vetëm emigrantët që donte. Kundërshtarët argumentonin se ajo do ta shtynte ekonominë e shëndetshme të vendit në recesion dhe do të privonte qindra e mijëra qytetarë zviceranë nga liria e tyre për të jetuar dhe punuar në të gjithë evropën.

Veç të tjerash, zgjedhësit kanë votuar edhe për një seri çështjesh të tjera në referendum. Ata kanë mbështetur lejen e atësisë për baballarët e rinj dhe kanë refuzuar një propozim që do ta bënte më të lehtë gjahun e specieve të mbrojtura si psh ujqve.

Top Channel