Ekspozohen dokumentet e rralla/ Ekspozita në 140-vjetorin e Çerçiz Topullit

25/09/2020 12:20

Në Gjirokastër u ekspozuan për herë të parë në 140 vjetorin e lindjes së Çerçiz Topullit dokumenta të rrallë të veprimtarisë së tij, fotografi dje regjistrime të këngës kushtuar luftës së Mashkullorës me moshë, 80,90 dhe 100 vjeçare.

Mes disqeve të gramafonit të trashëguara nga shekulli i kaluar si pjesë e koleksioneve private të disa familjeve ishte edhe regjistrimi i një kënge polifonike interpretuar nga vëllai i Çerçiz Topullit. Niko Kotherja studiues e vlerësoi grumbullimin e materialit arkivor si shumë të rëndësishëm për krijimin e bazës së një muzeu në banesën Topulli që prej 3 dekadash e ka humbur këtë funksion.

Ekspozita dokumentare e kuruar nga bashkia e qytetit kushtuar përvjetorit të lindjes së Çerçiz Topullit u shoqërua me përcjelljen e rrëfimeve mbi jetën e heroit dhe historitë e çetës së tij, histori që kanë jetuar me familjet e komitëve brez pas brezi. Koço Grameno nipi i Mihal Gramenos tërhoqi vëmendjen gjatë eventit për më shumë vëmendje dhe vlerësim ndaj historisë.

Çerçiz Topulli megjithëse nuk ka një muze në Gjirokastër është kthyer në një emblemë të qytetit. Imazhi i tij ofrohet së fundi si një trend modern i stampuar në bluza e çanta dhe preferohet veçanërisht nga të rinjtë.

Top Channel