Kosova nuk shënoi asnjë vdekje nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit. Autoritetet shëndetësore atje konfirmuan 66 raste të reja infektime, ç’ka shënon vazhdimin e një trendi në rënie, ndërsa ka edhe 141 të shëruar.

“Gjatë dy javëve të fundit kemi rënie të dukshme të numrit të infektimeve: 44%”, thuhet në njoftimin e Instituti Kombëtar te Shëndetësisë Publike. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të prekurve në Kosovë arrin në 15,208, ndërsa vdekjet janë 615.

Maqedonia e Veriut sakaq po shqyrton mundësinë e vendosjes së masave të reja për mbrojtje nga sëmundja përfshirë: mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, kontrollet nëpër lokalet me më shumë klientë, kufizimin e numrit të udhëtarëve në transportin urban, si dhe vendosjen e gjobave më të larta për ata që nuk i respektojnë rekomandimet kryesore të institucioneve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se të dhënat e 14 ditëve të fundit tregojnë se në 100,000 banorë trajektorja e pandemisë ka arritur në 79,2%, ndërkohë që në shtetet e tjera kjo mesatare është 76% . Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë viktima dhe 88 raste të reja me koronavirus.

Top Channel