Top Story/ Bonot e privatizimit dështuan në Shqipëri për shkak të mungesës së bursës

22/09/2020 22:57

Privatizimi masiv krijoi shoqëri me një numër të madh aksionarësh. Kjo situatë krijoi shumë probleme për shumë shoqëri të privatizuara, sepse aksionarët kishin mangësi në njohjen e të drejtave dhe detyrimeve.

“Aksionarët e rinj nuk gjenin gjuhën e përbashkët dhe një pjesë falimentuan jo nga kushtet e tregut por sepse menaxherët dhe pronarët nuk gjenin gjuhën e përbashkët”, tregon Zef Preçi, ekspert i ekonomisë.

Përvoja në vendet e tjera në rajon tregon që bonot e privatizimit janë përdorur gjerësisht në procesin e privatizimit masiv. Në këto vende, një nga arsyet pse atje ka pasur sukses ka qenë funksionimi i bursës.

Në vitin 1996, periudhë kur Bursa e Tiranës funksiononte si një Departament i Bankës së Shqipërisë, në sesionet e para të tregtimit të saj u shënuan edhe oferta për bonot e privatizimit. Por, nga ana tjetër, nuk u realizua asnjë transaksion shitblerjeje, pasi nuk pati kërkesa për këtë lloj letre me vlerë. Nëse do të kishte bursë vlera e bonove nuk do përcaktohej nga tregu i zi. Elvin Meka ka qenë në atë kohë drejtor i kësaj burse.

Për fat të keq bursa e Tiranës nuk u lidh asnjëherë me procesin e privatizimit, as privatizimin masiv dhe as strategjik. Pavarësisht kërkesave që ne si staf i asaj kohe në bursën e Tiranës i dërgonim qeverisë, ministrisë së ekonomisë”, tregon Elvin Meka

Aktualisht, bonot e privatizimit vazhdojnë të jenë letra me vlerë ligjërisht të tregtueshme në tregun sekondar të Bursës së Tiranës, por që praktikisht vazhdon të mungojë kërkesa për këto letra me vlerë.

Top Channel