Top Talk/ Gjiknuri: Listat e hapura krijojnë mundësi që në Parlament të futen edhe njerëz të padenjë

22/09/2020 17:10

Këshilli Politik i mbledhur ditën e sotme, duket se nuk prodhoi asnjë rezultat, pasi nuk u mor asnjë vendim përsa i përket ndryshimit të listave. Menjëherë pas takimit në Këshillin Politik, deputeti Damian Gjiknuri u vendos në studion e emisionit “Top Talk”, ku foli mbi aspektet negative që mbart implementimi 100% i listave të hapura.

Sipas tij, kjo mënyrë zgjedhje do t’i hapte rrugë kriminelëve dhe njerëzve të padenjë që të futen në parlament. I pyetur se ky modul do të prodhoj zgjedhje të korruptuara, Gjiknuri u përgjigj se po, prandaj sipas tij zgjidhja që ka propozuar Partia Socialiste është më stabël dhe mënjanon raste të tilla.

Denis Dyrnjaja: Me hapjen e listave do rrezikojmë që përfaqësimi në parlament të çedojë, të kemi surpriza, mund të kemi gjëra të papritura dhe të shëmtuara.

Damian Gjiknuri: Unë me të vërtetë kam pasur kritika për këtë dhe nga se jam nisur, deri diku edhe si njohës i politikës shqiptare sepse kam vite që militoj dhe e njoh terrenin politik shqiptar. Nuk jam nga njerëzit që nuk jam mësuar me fushata dhe nuk marr vota dhe e dyta kam parë çfarë ka ndodhur në vendet e tjera, sidomos në vendet që nuk kanë maturimin demokratik, kjo ka qenë realiteti. Cilësia jo vetëm që nuk është rritur, por në disa vende që janë të ngjashme me Shqipërinë janë zgjedhur dhe nivelet më të dobëta të mundshme, pse? Sepse është ky elementi tribalizmat, zgjidhen tipat ë fortë, kush ka para, këto ndodhin.

Denis Dyrnjaja: Do të ndodhë kjo këto me këtë lloj sistemi?

Damian Gjiknuri: Kjo hapje patjetër do të ekspozojë dhe këtë lloj tensioni mes kandidatëve. Nuk mund ta parashikoj, nuk e di si do të sillet elektorali, nuk e parashikoj dot.

Denis Dyrnjaja: E rrit kjo sensin e korruptimit të votës?

Damian Gjiknuri: Për mua tendenca është më e lartë, presioni do të jetë më i lartë për administratën zgjedhore dhe këtë fenomene do të jenë shqetësuese. Kjo formulë që ju e quani truk, por për ne është formulë shumë stabël do të bëjë të ruhet një nivel i mirë përfaqësimi. Ndryshe me variante totalisht ajo që quhet pa asnjë lloj formule ndarëse, pra mjafton me 500 vota po të erdhi radha zgjidhesh. Ajo do të sjellë një destabilitet, shkatërrim të përfaqësimit dhe do të jetë zhgënjimi më i madh i të gjithë shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë si bëheshin zgjedhjet për këshillat e komunave, kur të gjithë bridhnin me letra në xhep.

Top Channel