Këto foto që Top Channel ka siguruar janë të operacioneve të policisë kufitare dhe Frontex-it, në kufirin e gjelbër me Greqinë, në Korçë.

Siç mund të shihet, janë disa grupe emigrantësh të paligjshëm nga vendet arabe dhe Lindja e Mesme, që duan të hyjnë në vendin tonë për të shkuar më pas në vendet e Bashkimit Evropian.

Në grupe të mëdha, familjarë dhe shpesh me fëmijë të vegjël, ata ecin për ditë me radhë me shpresën se do t’ia dalin që të mos bien në gjurmën e policisë. Në këto foto, një pjesë e tyre pasi janë ndaluar nga forcat kufitare, duken të pashpresë. Por megjithatë, sipas burimeve të Top Channel, rreth 1/4 e atyre që kapen edhe pasi i kthejnë mbrapshT në kufirin me Greqinë, tentojnë përsëri që të hyjnë në vendin tonë, me shpresën se nuk do të pikasen dhe do të arrijnë në destinacionet e tyre finale.

Sipas të dhënave që Top Channel disponon, nga periudha janar-gusht i këtij vitit, në kufirin e gjelbër me Greqinë, janë ndaluar rreth 11 mijë emigrantë të paligjshëm. Rreth 8 mijë janë kapur për herë të parë, ndërsa 3 mijë të tjerë kanë qenë përsëritës, pra kanë tentuar të kalojnë kufirin për të dytën herë.

Nga 8 mijë emigrantët e paligjshëm që u kapën për herë të parë, rreth 6 mijë vendosën që të largoheshin vullnetarisht nga vendi ynë, e në anën tjetër, për këtë periudhë tetë mujore, kanë kërkuar azil rreth mbi 2 mijë emigrant.

Që prej majit të vitit të kaluar, tashmë në kufirin e gjelbër, policia kufitare, patrullon se bashku, me operacionin Frontex, me qëllim parandalimin e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm në vendin tonë.  Megjithatë një pjesë e vogël e tyre arrijnë të depërtojnë në vendin tonë, të ndihmuar edhe nga grupe të organizuara që bëjnë transportimin e paligjshëm të tyre drejt kufirit me Malin e Zi apo Kosovës.

Andi Bora

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA