Intensifikohen masat për sigurinë rrugore, Policia shton kontrollet me mjete inteligjente dhe dronë
Dy raste të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara janë evidentuar në Rinas.
Gjatë muajit shtator, nga Policia Kufitare e Rinasit janë evidentuar dhe goditur edhe 12 raste të tjera, konkretisht 7 raste për falsifikim të pasaportave dhe letërnjoftimeve, 3 raste për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe 2 raste për mosdeklarim të vlerave monetare.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të specializuara, duke përdorur edhe aparaturën e re të dhuruar nga ambasada gjermane, për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë vënë në pranga shtetasin I. N., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i pasaportave ose vizave” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe GJ. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.
Shtetasi I. N. i ka shitur një kartë identiteti greke me të dhënat e tij, shtetasit GJ. P., i cili ka tentuar të udhëtojë për në Angli.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel