Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bullizëm dhe ka sugjeruar se mund të marrë kundërmasa të paspecifikuara pasi Uashingtoni ndaloi shkarkimin e aplikacionit popullor të videove TikTok dhe efektivisht bllokoi përdorimin e aplikacionit të mesazheve kinez, WeChat.

“Kina i kërkon SHBA-së të heqë dorë nga bullizmi, të ndalë veprimet e saj të gabuara dhe t’u bindet rregullave dhe rendit ndërkombëtar”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë kineze të Tregtisë, të shtunën.

Nëse SHBA insiston të vazhdojë në këtë rrugë, Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat legjitime dhe interesat e kompanive kineze.  SHBA e ndërmori lëvizjen kundër dy aplikacioneve kineze të premten, duke cituar shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe duke përshkallëzuar luftën me Pekinin për teknologjinë digjitale. Sipas urdhërit, kompania në pronësinë e Tencent, WeChat, nuk do të funksionojë më në SHBA nga e diela.

Përdoruesit e TikTok nuk do të mund të instalojnë më ipdate-et por mund të vazhdojnë të kenë akses në shërbim deri më 12 nëntor. Zyrtarët amerikanë thanë se masat e të premtes janë thelbësore për sigurinë kombëtare. Administrata Trump ka vënë në shënjestër TikTokun në pronësinë e gjigantit kinez të teknologjisë ByteDance, për shkaqe të sigurisë kombëtare dhe 12 nëntori është ultimatumi që Trump ka vendosur për lejimin e një marrëveshjeje mes TikTok dhe një kompanie amerikane.

Top Channel