Një 33-vjeçar, baba i 2 fëmijëve, mbeti i vrarë pasditen e së shtunës, në Durrës, pas një konflikti çasti, në rrugën pranë shtëpisë së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një fabrike këpucësh, në afërsi të xhamisë së 4 minareve në unazën e plazhit.
Viktima Idajet Dulla po kthehej nga puna me automjetin e tij kur është konfliktuar me autorin e dyshuar, një shofer furgoni që transportonte punonjëset e fabrikës që sapo kishin mbaruar turnin. Konflikti ka lindur për përparësinë e kalimit në rrugën e mbingarkuar me automjete për shkak të kohës së daljes nga puna të punonjësve të fasonerisë dhe kthimit nga puna të banorëve të lagjes. Dhe nuk ishte i pari, po këtë herë sherri është mbyllur me vrasjen e babait të dy fëmijëve të mitur. Në shtëpinë dykatëshe të familjes Dulla janë çelur dyert e mortit. Në zonë të gjithë janë të shokuar për ngjarjen e rëndë, por heshtin, ndërsa shprehen, jashtë kameras, se situata në këtë rrugë mbjell veç tension e tashmë dhe vrasje.
”Ka qenë familjar, i rregullt. Jo i zërave të lartë. Asnjë nuk e ka prit që do të ndodhte kjo. Thuhet në portale se ka pasur probleme familjare të mëparshme, po nuk është e vërtetë. Ka qenë konflikt çasti se në rrugë kanë qenë.”
Në oraret e mbarimit të turneve në rrugën para këtij subjekti fason krijohet vështirësi në qarkullim dhe shpesh banorët e zonës përplasen me drejtuesit e autobuzave dhe furgonave që transportojnë punëtorët e fabrikës.
”Kur dalin punëtorët bllokohet rruga. Nëse të bie rasti me kalu ti, kur dalin ato, punëtorët t’i do pengohesh.”
Të shtunën konflikti verbal për bllokimin e rrugës mes njërit prej shoferave dhe 33-vjeçarit me origjinë nga Kukësi, banor prej vitesh në këtë zonë periferike të plazhit, u shndërrua në krim. Edhe viktima punonte si shofer në një kompani private karburantesh dhe pasditen e djeshme po kthehej në shtëpi.
Menjëherë pas goditjes me thikë të viktimës, autori është larguar nga vendngjarja me automjetin e tij tip furgon në ngjyrë të bardhë, ndërsa policia po punon për kapjen e tij.
Top Channel