Viti i ri hebre/ Izraeli “feston” në karantinë

18/09/2020 14:23

Në kohën kur nisi Viti i Ri hebre, Izraeli po hyn në një izolim të dytë mbarëkombëtar.

Edhe pse kjo festë tradicionalisht shënohet përmes takimeve të mëdha familjare, masat e izolimit tre javor i detyrojnë izraelitët të lëvizin vetëm brenda perimetrit 1 kilometër nga shtëpitë e tyre, me disa përjashtime, dhe numri i njerëzve të lejuar në sinagoga është ulur shumë.

Shteti hebre aktualisht ka një nga nivelet më të larta të të infektuarve me koronavirus në botë. Javën e kaluar, rastet e reja mbërritën në më shume se 5.000 në ditë dhe lideret e vendit u detyruan të kërkojnë falje për dështimin e tyre për të frenuar pandeminë. Deri më tani në Izraeli ka shënuar 1.169 vdekje nga sëmundja dhe gati 177.000 infektime.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se, nëse është e nevojshme, nuk do të hezitojë të vendosë kufizime më të ashpra. Rosh Hashanah apo Viti i Ri Hebre zgjat dy ditë. Festimet nisën në 18 shtator. Kjo është një festë e krijimit të botës dhe shënon një fillim të ri. Por këto dy ditë shërbejnë edhe për reflektim; hebrenjtë besojnë se Zoti i vlerëson veprat e mira dhe të këqija të një personi gjatë vitit dhe vendos se si do të jetë viti i ardhshëm për ta.

Top Channel