Opozita iraniane, këtë të premte zhvilloi online samitin trans-atlantik mbi politikën ndaj Iranit, me pjesëmarrje të zyrtarëve të lartë amerikanë, parlamentarë nga Evropa, nga Shqipëria dhe Lindja e Mesme, për të diskutuar mbi masat represive të regjimit te Teheranit brenda vendit dhe kërcënimin që përbën ai për lindjen e mesme dhe pjesën tjetër të botës.
Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iranianë, Maryam Rajavi, këtë herë kishte një thirrje për Kombet e Bashkuara.
“ Populli i Iranit do që ky regjim të ndëshkohet nga një bojkot gjithëpërfshirës. I gjendur përballë ekzekutimeve dhe masakrave, populli i Iranit nxit OKB-në, dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së në veçanti, që t’i rikthejë gjashtë rezolutat e OKB kundër regjimit klerikal në Iran.
Mbijetesa e regjimit është e varur nga vrasjet dhe shtypja. Nëse Khamenei do t’i ndalte ekzekutimet, ai do ta humbte kontrollin e situatës. Regjimi klerikal është në luftë me popullin e Iranit dhe me komunitetin botëror”.
Ish kryebashkiaku i New Yorkut, Rudy Guliani, në fjalën e tij u tregua i ashpër me Evropën, që nuk ka mbështetur Shtetet e Bashkuara, në raport me Iranin.
“ Evropianë kanë refuzuar të mbështesin SHBA-të. Ata deklarojnë që mbrojnë lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por ata i kanë braktisur këto parime. Ata po bëjnë biznes me këtë regjim barbar. Supozohet që ata kanë vlerësime të larta për të drejtat e njeriut. Po për të drejtat e njeriut në Iran?! Po gjithë ato para dhe ndihmë që po i japin Iranit, duke mbyllur njërin sy në aktet barbare të regjimit që po vret njerëz?!”
Ndërsa, ish këshilltari kombëtar i sigurisë në SHBA, Gjenerali James Jones u shpreh:
“ Regjimi Iranian, është mbështetësi kryesor i terrorizmit në mbarë botën. Qëllimi i tyre final është të prodhojnë armë bërthamore. Ky regjim tashmë e ka identifikuar veten e tij si armiku i njerëzve”.
Andi Bora
Top Channel