SHBA ndëshkon 2 firma iraniane, akuzohen se vënë në shënjestër disidentët

18/09/2020 08:41

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër subjekteve dhe individëve të lidhur me ministrinë iraniane të zbulimit dhe të sigurisë, nën akuzat se janë përfshirë në një fushatë kibernetike që ka në shënjestër disidentë iranianë, individë dhe kompani të tjera, tha të enjten Departamenti amerikan i Thesarit.

Sanksionet u vendosën ndaj grupit iranian të kërcënimeve kibernetike Advanced Persistent Threat 39, ndaj një kompanie falso dhe ndaj 45 personave.

Departamenti i Thesarit tha në një deklaratë se qeveria iraniane fshihej pas kompanisë falso, Rana Intelligence Computing Company, e cila mendohet se ishte e përfshirë prej vitesh në një “fushatë sulmesh kibernetike që kishte në shënjestër disidentë dhe gazetarë iranianë si dhe kompani turistike ndërkombëtare”.

“Regjimi iranian përdor Ministrinë e tij të Zbulimit si një mjet për të vënë në shënjestër civilë dhe kompani të pafajshme dhe për të çuar përpara axhendën e tij destabilizuese në të gjithë botën,” tha Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin në deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara janë të vendosura t’u kundërpërgjigjen fushatave dhe sulmeve kibernetike që synojnë të rrezikojnë sigurinë dhe të shkaktojnë dëme në sektorin e udhëtimeve ndërkombëtare,” tha ai.

Departamenti i Thesarit tha se që të dyja kompanitë janë në pronësi ose të kontrolluara nga Ministria e Zbulimit dhe e Sigurisë së Iranit.

Departamenti tha se individët ndaj të cilëve u vendosën sanksione, ishin të punësuar në Rana dhe ndihmonin në ekzekutimin e sulmeve kibernetike në rrjetet kompjuterike të firmave ajrore, bizneseve globale, institucioneve dhe objektivave të tjera që ministria i konsideron si kërcënim.

Agjencia, duke i referuar një njoftimi të FBI-së përmendte tetë grupe virusesh që përdorte ministria iraniane për të kryer sulmet kibernetike. Duke publikuar kodet e viruseve, Departamenti i Thesarit tha se FBI-ja shpreson të pengojë vazhdimin e fushatës së ministrisë iraniane.

Sanksionet vendosen një ditë pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo deklaroi se do të përpiqet për një rikthim të të gjitha sanksioneve të mëparshme ndërkombëtare mbi Iranin, duke filluar nga ora 20:00 e datës 19 Shtator. Ai tha se këtë fundjavë dhe javën e ardhshme do të ketë më shumë njoftime për mënyrën se si saktësisht Uashingtoni po planifikon të zbatojë “sanksionet e rikthyera të OKB-së.”

Britania, Franca dhe Gjermania, i ashtuquajturi grup E3, thanë në muajin gusht se nuk mund të mbështesin hapin e SHBA për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, duke thënë se kjo është e papajtueshme me përpjekjet për të mbështetur marrëveshjen bërthamore për Iranin./VOA/

Top Channel