Banorët e fshatit Gjorgos, Cakran i janë drejtuar emisionit Fiks Fare pasi denoncojnë terrenin e vështirë të rrugës kryesore të këtij fshati. Ky shqetësim vihet në pah për shkak se këtë rrugë, nxënësit e përshkojnë dy herë në ditë për të shkuar dhe ardhur nga shkolla.
Mungesa e infrastrukturës së rrugës, bën që për këta fëmijë mos të jetë në dispozicion transporti dhe për pasojë shkojnë në këmbë në shkollë. Ata përshkojnë rreth 4 ose 5 km në ditë për të shkuar në shkollë, rrugë të cilën e bëjnë për 1 orë ose më shumë. Por, vështirësia shtohet më tepër kur kthehen nga shkolla, pasi është terren malor dhe lodhen më tepër.
Problematikat që sjell mungesa e infrastrukturës së rrugës për prindërit është se gjatë kohës që fëmijët shkojnë në shkollë djersiten dhe për pasojë ftohen. Por midis të tjerave prindërit shprehen se fëmijët nga lodhja e rrugës, humbasin përqëndrimin në mësim. Ndërkaq ata theksojnë se gjatë muajve të dimrit, për shkak të kushteve klimatike, fëmijët mungojnë më shumë në shkollë rrjedhimisht e kanë të pamundur për të ndjekur mësimin në orarin e duhur.
Më tej prindërit e shqetësuar shprehen se rruga është e vështirë, mjafton një pakujdesi e fëmijëve që t’u rrezikojë jetën duke rënë në greminë. Grupi xhirimit të emisionit Fiks Fare vëzhgoi peripecitë që këta fëmijë hasin gjatë rrugës për të shkuar në shkollë duke i shoqëruar një ditë të zakonshme.
Çdo ditë nisja ishte në orën 7 të mëngjesit që të mbërrijnë në shkollë në orën 8 dhe të kapin mësimin. Por nuk janë të pakta rastet kur këta fëmijë mbesin dhe pa mësim sepse nuk arrijnë të kapin orarin.
Pikërisht në ditën e parë të shkollës, këta nxënës shkuan me vonesë dhe porta e shkollës ishte e mbyllur. Drejtori i shkollës Ahmet Hënaj i shkollës 9-vjeçare “Karajfil Muskaj” i pyetur në lidhje me këtë problematikë, u shpreh se këtyre nxënësve u kompesohet transporti, por furgonin duhet ta gjejnë prindërit. Gjithsesi ai pohon se kjo është e vështirë nga ana e prindërve për shkak të infrastrukturës së keqe së rrugës që penalizon transportin.
Gazetarët e Fiksit iu drejtuan Njësisë Administrative Cakran ku u interesuan nëse ka një projekt për ndërtimin e infrastrukturës së rrugës. Administratori Tonin Xhelaj u shpreh se punimet për shtrimin e rrugës do të rinisin së shpejti dhe se brenda muajit tetor do të përfundojë infrastruktura e rrugës.
Top Channel