Policia e Elbasanit njofton se ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë kriminale të 34-vjeçarit Erion Alibej që është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura gjatë muajit korrik 2020, në qytetin e Elbasanit, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.
Për 34-vjeçarin, është ekzekutuar masa arrest me burg, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Paraditen e sotme, nga strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vijim të operacionit policor të koduar “Shkumbini”, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimit nga strukturat hetimore, për shtetasin Erion Alibej 34 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi Emiljano Ramazani dhe i vrasjes së ndodhur më datë 29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi Regis Runaj.
Kujtojmë se 23-vjeçari Regis Runaj, u vra në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit, duke e qëlluar plot 27 herë me thikë.
Ndërsa Emiljano Ramazani, 39-vjeç, është ekzekutuar me armë zjarri më 20 korrik në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”. Viktima është qëlluar brenda në makinën e tij në një parkim pallati.
Top Channel