Opinion: Ekstremistë të djathtë tek policia – Armiq të shtetit në uniformë

18/09/2020 16:54

Sërish policia gjermane tronditet nga një skandal. Por reagimet nuk sinjalizojnë, se po merret seriozisht dimensioni i katastrofës nga politika dhe policia, mendon Hans Pfeifer.

Është zbuluar një rrjet i madh ekstremishtësh tek policia. 29 gra e burra janë liruar nga detyra. Të 29 personat janë përkrahës të rrjetit terrorist të “Shtetit Islamik”. Në grupin e tyre të chat-it ata kanë shpërndarë propagandë denigruese dhe kanë ngritur lart dhunën e islamistëve. E këtë e kanë bërë të pazbuluar prej tetë vitesh. – Që paraprakisht policia gjermane kishte për të qenë në kryetitujt e mediave, sepse paskërka kaq shumë simpatizantë të IS-it në radhët e autoriteteve, që kanë dërguar nga kompjuterat e policisë kërcënime për vrasje. Një skenar i tmerrshëm, që për fat të mirë nuk ka ndodhur.

Por çfarë do të kishte ndodhur në Gjermani, në një rast të tillë? Tek policia nuk do ishte lënë gur pa lëvizur. Me të drejtë.

Policët ekstremistë të djathtë jo raste të veçuara

Në rastin real të ekstremizmit tek policia nuk bëhet fjalë për islamistë, por për ekstremistë të djathtë. Të 29 policet e policët e liruar nga detyra ishin anëtarë të një grupi në chat, ku ndanin imazhe të Hitlerit dhe urrejtje raciste të formës më të ulët, e kjo që nga viti 2012. Një skenar i tmerrshëm edhe ky, dhe madje real.

Po tani? Ministri i Punëve të Brendshme të landit Renani Veriore-Vestfali nuk mendon të japë dorëheqjen. Kreu më i i lartë për sigurinë në Gjermani, ministri federal i Punëve të Brendshme nuk thotë asgjë, por ministria e tij bën fjalë për “turp”. Sindikata më e madhe e policisë, GdP në publik e vret mendjen për futbollin në kohë të Coronës. Kreu i sindikatës së policisë zakonsiht aktiv në sulme, shan rrugët anësore për biçikleta, socialistët e rinj dhe jep mendim për pranimin e refugjatëve nga Greqia. A kishte edhe ndonjë gjë tjetër këtu?

Megjithë tronditjen e premtimin për zbardhjen e plotë, politika mbetet çuditërisht e paprekur nga zgjatja e mëtejshme e listës me rrjete ekstremiste të djathta tek ushtria dhe policia. Ata ose kanë ndarë me njëri-tjetrin pamje të Hitlerit, simbole të NS-it, kërcënime për vrasje, urrejtje raciste, ose kanë magazinuar armë apo municion.

Më shumë se një protestë kundër kancelares

Për ta bërë edhe njëherë të qartë: këta “shërbëtorë të shtetit” nuk e bëjnë këtë si protestë kundër refugjatëve apo kancelares Merkel, jo ata janë përkrahës të fashizmit hitlerian që kreu vrasjen e milionave hebrenjve, sinti dhe romëve, kundërshtarëve politikë dhe personave me aftësi të kufizuara. Ata janë armiq të shtetit në uniformë. Çdo zbardhje serioze për strukturat dhe përmasat e racizmit dhe esktremizmit të djathtë në radhët e policisë gjermane ka dështuar deri tani. Edhe tani ministri Horst Seehofer e ka refuzuar një studim të tillë.

Mungon zemërimi i shoqërisë

Në një kohë që çështja e dimensioneve të ekstremizmit të djathtë tek policia nuk është e parëndësishme, por në fund të fundit në radhë të dytë. Sepse edhe një rast i vetëm e trondit besimin e qytetareve dhe qytetarëve në autoritetet e sigurisë. Tek kush duhet të drejtohet një person që kërcënohet nga neonazistët? Që i duhet të dëgjojë fyerje raciste? Tek policia? Dhe këtë me ndjenjë të mirë sigurie? Zor besoj.

Që politika sillet me kaq rutinë ndaj njoftimeve katastrofale që dalin prej aparatit të sigurisë, mund të ketë në fund një arsye: Nuk ka një empati të vërtetë, nuk ka një aftësi për të bashkëndjerë me ata që vuajnë nga ndërlidhjet ekstremiste të djathta brenda policisë. E këta janë në radhë të parë refugjatë, gjermanë migrantë, njerëz me ngjyrë dhe kundërshtarë të ekstremizmit të djathtë. Solidariteti i shoqërisë me këtë pjesë të madhe të shoqërisë është i zbehtë. Edhe më e dobët është britma e vetë policisë për problemet në radhët e saj, e kjo është tronditëse./DW

Top Channel