Venezuela thotë se ka rrëzuar një avion drogash nga SHBA

17/09/2020 17:56

Ushtria e Venezuelës tha se ka goditur dhe rrëzuar një avion të vogël drogash që kishte hyrë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendit.

Ministri i brendshëm Nestor Reverol tha se ngjarja ishte e ngjashme me atë të korrikut kur ushtria rrëzoi me mjete kundërajrore një tjetër avion që tentonte të kalonte droga ilegalisht drejt SHBA.

“Kemi goditur trafikun ajror të drogës me rrëzimin e një avioni të vogël të regjistruar në SHBA, i cili hyri ilegalisht në hapësirën venezuelane nga shteti i Zulia,” tha Reverol në një deklaratë.

“Pas pikasjes së njësisë ilegale ajrore nga radarët e forcave mbrojtëse, zyrtarët aktivizuan protokollin e caktuar për Kontrollin e Plotë të Mbrojtjes Ajrore”, shtoi minsitri duke iu referuar autorizimit për të hapur zjarr avionëve të dyshuar si të kartelëve të trafikut të drogës.

“Ne mbetemi në vigjilencë për monitorimin e hapësirës ajrore dhe ndalimin e trafikut të drogave nga Kolumbia, që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë”, shtoi ministri duke hedhur baltë mbi rivalin fqinj të vendit.

Në 2013, Presidenti venezuelan Nicolas Maduro nënshkroi ligjin e rëzimit të avionëve që ai quante narko-mafia që kalonin në hapësirën ajrore të vendit.

FOTO GALERI
1/3
Venezuela tha se ka goditur dhe rrëzuar një avion të vogël drogash që kishte hyrë ilegalisht

Top Channel