Zelanda e Re po përjeton recesionin më të thellë prej dekadash të tëra pas masave të rrepta kundër pandemisë Covid-19, të cilat e ndihmuan vendin ta frenonte përhapjen e sëmundjes, dhe u lavdëruan gjerësisht.

Zelanda u mor si shembull i përpjekjeve qeveritare për të mos lejuar përhapjen e pandemisë dhe rezultoi e suksesshme. Por ekonomia nuk u ka shpëtuar pasojave të kufizimit. PBB-ja e vendit u tkurr me 12.2% mes prillit dhe qershorit kur ndodhi karantina dhe mbyllja e kufijve.

Ky është praktikisht recesioni i parë i saj që nga kriza globale e 2008-tës dhe më i rëndi i regjistruar ndonjëherë që prej vitit1987, kur filloi sistemi aktual i matjes. Qeveria megjithatë shpreson në një rimëkëmbje të shpejtë. Kombi prej gati pesë milionë banorësh u deklarua për pak kohë pa virus, dhe në total ai pati vetëm 25 vdekje nga Covid-19.

Ekonomia tani ka të ngjarë të jetë një prej temave kryesore në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, të cilat u shtynë pas një rritjeje të papritur ta rasteve me koronavirus në muajin gusht. Sektorët ndër më të goditur janë ata të shitjes me pakicë, akomodimit, restorantet dhe transporti.

Top Channel