Zjarr në kodrën e Krastës/ Era e fortë favorizon përhapjen e flakëve

16/09/2020 15:36

Është për të ardhur keq, por Krasta u dogj. Dy vatra zjarri janë identifikuar mëngjesin e sotëm në kodër Krastë të Elbasanit. Kurora e gjelbër në lindje të këtij qyteti e vetmja mushkëri e gjelbër e qytetit të Elbasanit.  

Padyshim të dyja zjarret janë identifikuar si zjarre të qëllimshme. Kjo situatë ndodh në vitin 2017 e cila dogji një sipërfaqe të madhe të Kodër Krastës. Në vitin 2019, një vit më parë, një tjetër zjarr shkatërroi një pjesë të kësaj kodre dhe kjo është situata e këtij viti, e vitit 2020 ku një pjesë tjetër e Krastës, buzë lumit Shkumbin është duke u djegur.

Në pjesën më të madhe të vatrave të zjarrit është e pamundur të ndërhyhet me mjetet zjarrfikëse për shkak të terrenit dhe e gjithë puna e efektivëve zjarrfikës është e përqendruar në fikjen e zjarrit me pompat e dorës çka e bën procesin trefish më të vështirë. Ndërkohë era e fortë duket se nuk është në favor të zjarrfikësve, por të zjarrit i cili po përhapet me shpejtësi.

Pylli i Krastës u krijuar aty rreth viteve ’60 për t’i dhënë oksigjen qytetit industrial si e vetmja kurorë e gjelbër e këtij qyteti. Janë 161 ha pyll me pisha i cili vit pas viti po shkatërrohet qëllimisht dhe asnjë autor nuk është vënë para përgjegjësisë.

Top Channel