Marrëveshja e Trump/ Palestinezët e presin me raketa 

16/09/2020 14:11

Presidenti amerikan Donald Trump arriti t`i bënte bashkë udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Izraelit për nënshkrimin e marrëveshjeve për normalizimin mes tyre, duke I shtyrë kështu këto shtete arabe të thyenin një tabu të kahershme në një ristrukturim strategjik rajonal kundër Iranit.

Marrëveshja përmbylli një muaj me zhvillime dramatike gjatë të cilit u arriti fundi I një armiqësie të vjetër por pa zgjidhur problemin e palestinezëve. Ujdia e vështirë e shtyu ekipin e Trumpit të argumentojë se kjo përpjekje e presidentit amerikan duhet të rezultojë me një Nobele Paqeje për të. Shumë opinionistë megjithatë pajtohen me idenë se kjo “nuk mund të mbajë titullin marrëveshje paqeje”, kur mes vendeve në fjalë nuk ka as konflikt e as luftë. Përplasjet e Izraelit janë me palestinezët, Hezbollahun apo Iranin.

Se çfarë efekti pati në Gaza një ujdi e tillë kjo e pa qartë me raketat e lëshuara sërish mbrëmjen e djeshme. Qindra palestinezë marshuan në shenjë proteste me pankarta në duar ku shkruhej “tradhti” dhe “marrëveshja e turpit”, ndërsa zëdhënësi I Hamasit, Hazem Qassem u shpreh se pakti “nuk vlen as sa boja me të cilën u shkrua”. Marrëveshjet megjithatë I bëjnë Emiratet e Bashkuara dhe Bahrejnin shtetet e treta dhe të katërta arabe që ndërmarrin hapa për normalizimin e lidhjeve me Izraelin që kur ky i fundit nënshkroi traktate paqeje me Egjiptin në 1979 dhe Jordaninë në 1994. Në zyrën Ovale, Trump tha se “do të kemi të paktën pesë ose gjashtë vende që do të na bashkohen shumë shpejt” për të lidhur marrëveshje të ngjashme, edhe pse nuk përmendi ndonjë prej tyre.

 

Top Channel