Dosje të reja krime lufte janë dërguar në Organizatën e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për media të drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Nga OVL e UÇK-së kanë thënë se personi që ka sjellë dosjet ka qenë tjetër nga rasti i parë. Ata kanë thënë se kanë tentuar ta ndalojnë personin, mirëpo që nuk kanë arritur.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati ka bërë të ditur se dosjet janë në gjuhën serbe dhe angleze, dhe paraqesin dëshmi të bashkëpunimit të prokurorëve të Speciales me Serbinë.
Ndërkaq, nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ka pasur mbi 130 komunikime me drejtorin e policisë serbe, dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Ndryshe, hetuesit nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës me seli në Hagë raportohet të kenë marrë 4 mijë dosje krime lufte, të cilat ishin dorëzuar kohë më parë në mënyrë anonime në selinë e OVL të UÇK-së.
Dosjet dyshohet se përfshinin emra dëshmitarësh të mbrojtur në çështjet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
OVL e UÇK-së thotë se dosjet vërtetojnë se Dhomat e Specializuara janë të njëanshme kundër shqiptarëve të Kosovës dhe janë krijuar për të përmbushur vullnetin e Serbisë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë komentuar nëse dokumentet janë autentike.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Hagë dhe kanë staf ndërkombëtar.
Top Channel