Udhëheqësi i opozitës ruse Aleksei Navalni publikoi një foto të tij në shtratin e një spitali në Berlin të martën ndërsa po kurohet nga helmimi me një agjent nervor muajin e kaluar në Siberi. Zoti Navalny, i rrethuar nga familja e tij, tha se ishte i kënaqur që ishte në gjendje të merrte frymë vetë.

“Më mungoni të gjithë”, shkruante zoti Navalni në postimin në postimin e tij në Instagram. “Ende nuk mund të bëj dot asgjë, por dje munda të merrja frymë gjithë ditën vetë”, shtonte ai.

Kjo është fotoja e parë e shpërndarë publikisht e zotit Navalni që kur ai u dërgua në spitalin Charite të Berlinit, vetëm dy ditë pasi u sëmur gjatë një fluturimi në Rusi më 20 gusht. Zëdhënësi i tij konfirmoi menjëherë pas postimit të fotos, se 44-vjeçari kishte në plan të kthehej në Rusi.

Gjermania, Franca dhe Suedia kanë dalë në përfundimin se zoti Navalni u helmua me Novichok, një agjent nervor i periudhës sovjetike që Britania tha se ishte përdorur gjithashtu edhe ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Salisbury, Angli dy vjet më parë. Vendet perëndimore kanë kërkuar shpjegim nga Moska, e cila thotë se akuzat se ajo ishte përfshirë në helmim janë të pabaza. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se Moska ka nevojë që Gjermania t’i japë informacion për të sqaruar atë që ndodhi. Zoti Peskov tha se autoritetet ruse nuk mund të kuptojnë pse laboratorët francezë dhe suedezë u lejuan të testojnë mostrat mjekësore të zotit Navalni dhe Rusia jo.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka akuzuar Perëndimin se ka përdorur helmimin e zotit Navalni si një justifikim për të vendosur sanksione të reja ndaj Moskës. Ngjarja ka tensionuar më tej lidhjet mes Rusisë dhe Perëndimit. Marrëdhëniet u përkeqësuan në nivelin më të ulët që pas Luftës së Ftohtë me aneksimin e Krimesë nga Rusia në 2014 dhe helmimin e ish-agjentit rus Skripal dhe vajzës së tij.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ndodhet nën presion për të ndëshkuar Moskën duke shtyrë fillimin e punës së një gazsjellësi gati të përfunduar, që transporton gaz natyror nga Rusia në Gjermani.

Top Channel