78 vjetori i konferencës së Pezës, Veliaj: PS, në krah të luftës antifashiste

16/09/2020 15:43

Tirana përkujtoi sot 78-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në respekt të protokolli të higjienës për shkak të pandemisë, një përfaqësi e reduktuar e shoqatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, ministra, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë atyre që rrokën armët për çlirimin e vendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se mesazhi që përcjell Konferenca e Pezës është aktual edhe sot. Ai theksoi se përtej partive dhe bindjeve, janë Shqipëria dhe Tirana

 “Dua t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën e Pezës, një ditë ku ne përkujtojmë të gjithë patriotët që u mblodhën këtu – njerëz pa dallim feje, krahine dhe ideje – për t’u bashkuar kundër pushtuesit. Ky është mesazhi për të cilin kemi nevojë edhe sot, se përtej partive dhe bindjeve tona, është Shqipëria, është Tirana”

Veliaj shtoi se Partia Socialiste do të qëndrojë gjithmonë në krah të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të familjeve të dëshmorëve. Veliaj theksoi se mesazhi i Pezës është se vetëm kur jemi të bashkuar, mund të ecim përpara.

 “Fryma e përçarjes, e stërkëmbëshave, e shpifjes, e intrigës, nuk ndihmon. Ajo që ndihmon është bashkimi, bashkëpunimi, solidariteti. Sot, ndoshta nuk i kemi sfidat me pushkë në dorë, por për të luftuar pandeminë dhe pasojat e tërmetit mund t’i bëjmë vetëm me punë, vetëm bashkë. Do të doja shumë që, pas gjithë këtyre viteve, Konferenca e Pezës të përshëndetej edhe nga forca të tjera politike, të cilat me sa duket ende duhet ta kuptojnë mësimin e Babë Myslymit,se vetëm kur jemi të bashkuar mund të ecim përpara, kurse fryma e përçarjes vetëm e saboton vendin”,

Gjatë ceremonisë, u vendosën kurora me lule në monumentin dhe varrezat e dëshmorëve në Pezë.

Top Channel