OBSH: Vjeshtë e vështirë, rekord i infektimeve të reja me koronavirus

15/09/2020 00:57

Numri i të sëmurëve nga koronavirusi shënoi një nivel të ri global, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë regjistruar gati 308 mijë raste pozitive në 24 orët e fundit, niveli më i lartë i matur ndonjëherë.

Në të njëjtëjn kohë, sipas saj, ka pasur 5.500 vdekje të reja, ç’ka e çon në mbi 917.400 bilancin e viktimave nga kjo sëmundje. Në botë sot, janë konfirmuar pothuajse 29 milionë të prekur.

Parashikimet e OBSH-së janë të zymta. Sipas drejtorit të saj për Europën, Hans Kluge, në kontinentin e vjetër do të ketë një shtim të ndjeshëm të vdekjeve në muajt tetor-nëntor. “Situata do të vështirësohet shumë”, tha ai. Sipas kreut të organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus tani edhe përshendetja me bërryl duhet shmangur, sepse në këtë mënyrë njerëzit nuk respektojnë distancën e nevojshme të sigurisë.

“Përshëndetini njerëzit nga larg. Mua vetë më pëlqen më shumë të vendos dorën mbi zemër kur dua të përshëndes dikë”, thuhet në një mesazh të cilin Ghebreyesus e ndau në profiling e vet në Twitter.

Top Channel