Tensionet SHBA – Kinë/ Largohet ambasadori amerikan

14/09/2020 12:40

Terry Branstad do të largohet si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kinë pas më shumë se tre vitesh në Pekin, konfirmoi një burim për CNN.

Branstad tërhiqet përpara zgjedhjeve të nëntorit, ndërsa njoftimi vjen në një kohë tensionesh në rritje mes SHBA-së dhe Kinës në disa fronte tashmë. Qeveria kineze njoftoi të premten se do të vendoste kufizime të paspecifikuara ndaj diplomatëve dhe personelit të lartë amerikan brenda vendit, pasi Uashingtoni aplikoi një masë të ngjashme që synonte trupat diplomatike të Pekinit në 3 shtator.

Në një postim në Twitter të hënën herët, sekretari i shtetit Mike Pompeo falënderoi Branstad për shërbimin e tij ndaj popullit amerikan si ambasador i SHBA-së.

“Presidenti Donald Trump e zgjodhi ambasadorin Branstad sepse përvoja e tij disa dekada e gjatë në marrëdhëniet me Kinën e bëri atë personin më të mirë për të përfaqësuar administratën dhe për të mbrojtur interesat dhe idealet amerikane në këtë marrëdhënie të rëndësishme,” tha Pompeo.

Sakaq, dhe në Evropë po ndryshon qëndrimi në marrëdhëniet me Kinën. Politika e jashtme gjithnjë e më agresive e saj, shtypja më e madhe e lirisë së mendimit e të drejtave të njeriut brenda vendit u reflektuan zyrtarisht në mars 2019 në BE. Komisioni Evropian në Bruksel paraqiti për herë të parë një strategji ndaj Kinës. Që në faqen e parë aty thuhet: Kina për Evropën nuk është vetëm partner në luftë kundër ndryshimit të klimës; nuk është vetëm konkurrente në ekonomi.

Kina identifikohet si “rivale sistemi”, që nxit “modele qeverisjeje alternative”, që do të thotë: Pekini përpiqet që të themelojë në botë një sistem autokratik sundues si kundërmodel ndaj demokracisë të formës europiane.

 

Top Channel