Vazhdojnë arrestimet e protestuesve në Bjellorusi

13/09/2020 16:19

Autoritetet bjelloruse e kanë cilësuar një protestë të organizuar nga gratë më 12 shtator në Minsk, si “agresive” dhe “jofemërore”.

Gratë u mblodhën në kryeqytetin bjellorus, në një tubim paqësor, për të kundërshtuar rizgjedhjen e Aleyskandr Lukashenkos në postin e presidentit për mandatin e pestë me radhë.

Marshi i organizuar nga gratë është i fundit në vazhdën e protestave të përditshme që po mbahen në Bjellorusi, që prej se Lukashenko shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit. Kritikët thanë se rezultati zgjedhor u manipulua, gjë që shtyri që mbështetësit e opozitës të mbajnë protesta.Ministria e Brendshme njoftoi të dielën se ka rritur prezencën e policisë dhe ushtarëve në kryeqytetin bjellorus, Minsk, “për të parandaluar aktivitetet joligjore që kryejnë qytetarët protestues”.

Në njoftim thuhet se policia “do të operojë nën një mënyrë të ashpër të sigurisë”.Deri në mesditën e së dielës, janë raportuar se janë mbajtur dy marshe. Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Natalya Hanusevich është cituar të ketë thënë për agjencinë TASS se “disa njerëz” janë arrestuar.“Mund të konfirmoj se disa pjesëmarrës në këto tubime të paautorizuara janë arrestuar”, tha ajo, duke shtuar se “ata do të dërgohen në zyret lokale të ministrisë, për t’iu nënshtruar proceseve administrative”.

Ministria e Brendshme ka njoftuar më herët se gjatë protestave më 12 shtator janë arrestuar 114 persona, ku 99 prej tyre janë arrestuar në Minsk.Policia ka arrestuar dhjetëra gra protestuese dhe të paktën dy gazetarë që kanë qenë duke e përcjell protestën.“Është e turpshme të shohësh: të bërtitura, përplasje, sjellje jofemërore”, ka thënë Ministria e Brendshme, duke iu referuar marshit të organizuar nga gratë më 12 shtator në Minsk.Shumica e lidereve të aktiviteteve të opozitës janë gra, përfshirë edhe ish-kandidaten për presidente (e cila gjendet jashtë vendit), Svyatlana Tsikhanouskaya.

Shumica nga lideret opozitare janë arrestuar, siç është rasti i Maryya Kalesnikava dhe Lilia Vlasova.Tsikhanouskay javën e kaluar u bëri thirrje protestuesve që “të qëndrojnë të qetë”, teksa kërkoi mbështetje ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore lidhur me “krizën e thellë politike” në Bjellorusi. REL

Top Channel