Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë po pritet me interes të veçantë nga politika greke.

Ndonëse ajo është në kuadër të presidencës shqiptare të OSBE, mbërritja e kreut të qeverisë shqiptare pritet të ringjallë shpresat se të dy vendet do të nisin një fazë të re afrimi mes tyre, e cila pritet të kulmojë me përfundimin e bisedimeve për çështjet e hapura mes dy vendeve, një proçes i iniciuar në 2014 prej qeverisë se kaluar greke dhe kabinetit Rama me Ditmir Bushatin në krye.

Burime tepër të besueshme të Top Channel në Athinë thanë se pas pakësimit të retorikës nacionaliste në të dy anët e kufirit tashmë janë pjekur kushtet që të dy vendet të përfundojnë disa marrëveshje mes tyre, ku heqja e ligjit të luftës dhe ajo e demilitimit të ujerave territoriale si dhe traktati i ri i miqësisë strategjike mes dy vendeve do të jenë në krye të agjendës.

Burimet sqarojnë se Athina është e interesuar që me Tiranën zyrtare të ketë një dialog gjithëpërfshirës, madje është e vendosur që të lëshojë pe në disa prej problemeve të hapura mes dy vendeve, mjaft që edhe Tirana zyrtare të dëshirojë një zgjidhje të drejtë të problemeve mes dy dy vendeve.

Mbas përkeqësimit të marrëdhënieve me Turqinë, Athina ka synuar ngritjen e një fronti europian, por edhe ballkanik që do të tentojë të pakësojë influencën turke në rajon,ndaj mbështetja greke ndaj integrimit europian të Shqipërisë pritet të jetë e pa kufizuar.

Në këtë kontekst, Athina zyrtare pritet të bëjë disa lëvizje diplomatike në rajon,ku synon të rrisë mbështetjen e saj ndaj forcave pro europiane në Ballkanin perëndimor, madje Athina është e vendosur të ketë një qasje të re me faktorin Shqiptar në rajon,duke parë që ky i fundit,është kthyer në faktor qeverisës ne Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut edhe më gjerë.

Kjo qasje e re, mund të konkludojë deri në formimin e një marrëdhënie të re të besimit mes grekëve dhe shqiptarëve në rajon,me pikë kulmore të saj,njohjen e Kosovës nga Greqia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA