Protestat e Jelekëve të Verdhë rikthehen vrullshëm në Paris, për herë të parë pas izolimit

12/09/2020 19:51

Policia franceze ka ndaluar sot më shumë se 250 njerëz dhe ka përdorur gaz lotsjellës gjatë protestës së dhunshme të Jelekëve të Verdhë, që vërshuan në kryeqytet për herë të parë që prej heqjes së izolimit të koronavirusit në maj.

Pamjet e marra sot tregonin makina të djegura nga protestuesit dhe gaz lotsjellës të përdorur nga policia për shpërndarjen e tyre.

Shumica e të arrestuarve u liruan pas marrjes në pyetje nga policia, e cila tha mes të tjerash se kishte sekuestruar një biçak, një çekiç dhe një hark për shigjeta.

Kreu i policisë Didier Lallement i përshkruante protestat e ndaluara si “parada në Champs-Élysees”.

“Nuk mund të kemi kaos e shkatërrim në bulevard,” tha ai, ndërsa bizneseve u ishte rekomanduar mbyllja gjatë orëve të protestës e madje “vendosja e mjeteve të mbrojtjes para vitrinave”.

Lëvizja e Jelekëve të Verdhë ka lindur në nëntor 2018 në protestë kundër planeve të qeverisë Macron për rritjen e çmimeve të karburantit, kur qindra mijëra njerëz mbushën rrugët e Francës.

Si rezultat i lëvizjes qeveria franceze angazhoi një paketë financiare 10 miliardë euro në ndihmë të më të varfërve të popullatës dhe detyroi presidentin Emmanuel Macron të tërhiqej nga planet e tij.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel