Tragjedia e 11 Shtatorit/ Historia e tre shqiptaro-amerikanëve që humbën jetën në sulmin e “Kullave Binjake”

11/09/2020 21:18

Simon Dedvukaj ishte më i riu i tre shqiptarëve që humbën jetën 19 vjet më parë nga sulmet mbi Kullat Binjake në Nju Jork.

Ai punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë si përgjegjës i mirëmbajtjes. Rrok Camaj, pastronte xhamat nga jashtë. Nga kati i 105, i telefonoi të birit për t`i dhënë lamtumirën e fundit. Mon Gjonbalaj, amanetin e fundit e pati për fëmijët, që të mbanin të bashkuar familjet.

Uniforma e tij është ekspozuar në Muzeun përkujtimor të 11 shtatorit; e njëjta uniforme me të cilën shkonte çdo ditë në punë. Tre shqiptarët që u shuan nga aktet terroriste të përpara gati dy dekadash, sot përkujtohen mes 3 mijë viktimave të tjera, me ceremoni që nisin nga memoriali ku tashmë përvit që prej tragjedisë lexohen me zë të lartë emrat e gjithsecilit prej atyre, jeta e të cilëve u pre në mes papritur. Në mbarë Nju Jorkun, u mbajt një moment heshtjeje në orën 8:46 të mëngjesit me orën lokale pikërisht koha kur një nga avionët u përplas me Kullën Veriore.

Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Bideni ishin te pranishëm në ceremonitë përkujtimore. Në një moment të rrallë bashkimi, Biden dhe zëvendëspresidenti Mike Pence prekën bërrylat, mënyra që po zëvendëson përshëndetjen klasike për shkak të pandemisë. Përkujtimore për nder të atyre që u vranë gjatë sulmeve terroriste janë ngritur në Nju Jork, Virxhinia e Pensilvani. Ndërtimi i një kulle të re në Qendrën Botërore të Tregtisë mori kohë të gjatë, por tashmë ajo ngrihet mbi horizontin e Manhatanit në Nju Jork, si ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel