Një marrëdhënie e pazakontë/ Letrat mes Donald Trump dhe Kim Jong Un në librin e gazetarit amerikan

11/09/2020 01:54

Libri i ri i gazetarit të njohur të gazetës Washington Post, Bob Woodward, po hedh më shumë dritë mbi marrëdhënien e pazakontë midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un. Edhe pse në treg ai del javën e ardhshme, disa media vendase kanë botuar fragmente që përfshijnë dhe pjesë të letrave personale, të shkëmbyera nga dy liderët këto dy vitet e fundit.

Në këto letra, siç thotë VOA, udhëheqësi i Koresë së Veriut e vlerëson lart Presidentin Trump, duke iu drejtuar vazhdimisht si “Shkëlqesia Juaj” . Ai përshëndet “miqësinë e tyre të thellë dhe të veçantë”, edhe kur bisedimet bërthamore mes dy vendeve po dështonin.

“Edhe tani nuk mund ta harroj atë çast historik kur mbajta fort dorën e Shkëlqesisë Suaj në atë vend të bukur dhe të shenjtë, ndërsa e gjithë bota shikonte”, i shkruante atij Kim Jong Un-i pas takimit të tyre të parë në Singapor në qershor të vitit 2018. Ishte njëra nga dy letrat e Kimit botuar nga televizioni CNN.

Pas samitit të tyre të dytë në Vietnam, Kim i shkruante presidentit amerikan se “çdo minutë që ndamë, 103 ditë më parë në Hanoi ishte gjithashtu një moment lavdie që mbetet një kujtim i çmuar”. Presidenti Trump shpesh i kthente lavdërimet udhëheqësit koreanoverior e sipas gazetës Washington Post, pas takimit të tyre në Singapor, Trump e përshkroi Kim si “tejet të zgjuar”.

Top Channel